NATO mbështet Poloninë mes përshkallëzimit të krizës së emigracionit
BKT
   Bota

NATO mbështet Poloninë mes përshkallëzimit të krizës së emigracionit

“Përdorimi i emigrantëve nga Bjellorusia si taktikë hibride është i papranueshëm”, tha Stoltenberg, pas bisedës së tij telefonike me presidentin polak, Andrzej Duda.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, siguroi Poloninë për solidaritetin e aleancës në mes të përshkallëzimit të krizës së emigracionit në kufirin e saj me Bjellorusinë.

“Përdorimi i emigrantëve nga Bjellorusia si taktikë hibride është i papranueshëm”, shkroi Stoltenberg në Twitter, pas bisedës së tij telefonike me presidentin polak, Andrzej Duda.

“NATO qëndron në solidaritet me Poloninë dhe të gjithë aleatët tanë në rajon”, shtoi ai.

Të hënën, autoritetet polake shtuan mbrojtjen e kufirit duke mobilizuar mbi 12.000 trupa pasi një grup i madh emigrantësh nisën të marshonin drejt kufirit të vendit me Bjellorusinë, të shoqëruar nga ushtria bjelloruse.

Në një intervistë për transmetuesin publik Radion e Polonisë, zëvendësministri i Jashtëm i Polonisë, Piotr Wawrzyk, pretendoi se qeveria bjelloruse po përpiqet "të shkaktojë një incident të madh, mundësisht me të shtëna nga armë zjarri dhe viktima".

“Regjimi bjellorus po vazhdon provokimet dhe po përdor taktikat më të këqija të mundshme”, shtoi ai.

Polonia dhe BE-ja kanë akuzuar presidentin bjellorus, Alexander Lukashenko, se po kërkon hakmarrje për sanksionet e bllokut ndaj qeverisë së tij, e cila ka ftuar "turistë" nga vendet që janë burim i emigracionit drejt BE-së.

Si NATO, ashtu edhe BE-ja e konsiderojnë qasjen e qeverisë bjelloruse ndaj emigrantëve si një kërcënim hibrid që synon të destabilizojë dhe minojë sigurinë në vendet evropiane përmes mjeteve joushtarake.

Sipas vlerësimeve të muajit të kaluar, mbi 6.000 emigrantë, kryesisht nga Iraku, Afganistani dhe Siria, u përpoqën të hynin në BE përmes kufirit Bjellorusi-BE, një rritje e ndjeshme nga 150 sa ishin vitin e kaluar.