Polonia fajëson presidentin rus Vladimir Putin për krizën e emigrantëve
BKT
   Bota

Polonia fajëson presidentin rus Vladimir Putin për krizën e emigrantëve

Kryeministri i Polonisë ka akuzuar presidentin rus Vladimir Putin se qëndron pas krizës së emigrantëve në kufirin e Bjellorusisë me Poloninë.

Mateusz Morawiecki tha se udhëheqësi autoritar i Bjellorusisë, një aleat i ngushtë i zotit Putin, po orkestron krizën, por "ajo e ka trurin e saj në Moskë".

Të paktën 2000 emigrantë janë bllokuar në kufi.

Udhëheqësi i Bjellorusisë Alexander Lukashenko mohon pretendimet se po dërgon njerëz përtej kufirit në shenjë hakmarrjeje për sanksionet e BE-së.

Pamjet video tregojnë turma njerëzish në anën bjelloruse të një gardhi kufitar me tela me gjemba me Poloninë.

 Disa përpiqen të kalojnë me forcë duke përdorur prerëse bulonash, trungje pemësh dhe forcë në grup, ndërsa rojet polake i shmangin me  gaz lotsjellës.

Shumë nga emigrantët janë të rinj, por ka edhe gra dhe fëmijë, kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Azia. 

Ata kanë vendosur tenda brenda Bjellorusisë, të bllokuar mes rojeve polake në njërën anë dhe rojeve bjelloruse nga ana tjetër.

Temperaturat gjatë natës në kufi është nën zero dhe disa prej emigrantëve kanë ndërruar jetë javët e fundit.

Duke folur të martën (9 nëntor) në një seancë urgjente parlamentare pas vizitës së trupave në kufi, Morawiecki tha: "Ky sulm që po kryen Lukashenko e ka trurin e tij në Moskë, organizatori është Presidenti Putin".

Ai akuzoi liderët rusë dhe bjellorusë se po përpiqen të destabilizojnë Bashkimin Evropian duke lejuar emigrantët të udhëtojnë përmes Bjellorusisë dhe të hyjnë në bllok.

Morawiecki e përshkroi situatën si "një lloj të ri lufte në të cilën njerëzit përdoren si mburoja njerëzore" duke shtuar se Polonia po merrej me një "loje skenike" e cila është krijuar për të krijuar kaos në BE.

Ai shtoi se ishte hera e parë në 30 vjet që siguria kufitare e Polonisë ishte "sulmuar brutalisht".

Polonia ka vendosur trupa shtesë në kufi dhe ka paralajmëruar për një përshkallëzim të mundshëm "të armatosur", nga frika se Bjellorusia mund të përpiqet të provokojë një incident.

Polonia, Lituania dhe Letonia, të cilat janë të gjitha pjesë e BE-së, kanë parë një rritje të numrit të njerëzve që përpiqen të hyjnë ilegalisht në vendet e tyre nga Bjellorusia në muajt e fundit. 

Të martën,(9 nëntor) Lituania shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në kufirin e saj me Bjellorusinë, e cila do të hyjë në fuqi në mesnatë.

Polonia është akuzuar për shtyrjen e emigrantëve përtej kufirit në Bjellorusi, në kundërshtim me rregullat ndërkombëtare të azilit. 

Gazetarëve dhe agjencive të ndihmës u është ndaluar hyrja në zonë.

"Askush nuk na lejon të hyjmë askund, në Bjellorusi apo Poloni," i tha BBC-së me video-telefonatë 33-vjeçari Shwan Kurd nga Iraku.

"Nuk ka asnjë mënyrë për të shpëtuar," tha ai. "Polonia nuk do të na lejojë të hyjmë. Çdo natë ata fluturojnë me helikopterë. Nuk na lënë të flemë. Jemi kaq të uritur. Këtu nuk ka ujë as ushqim. Ka fëmijë të vegjël, pleq e gra dhe familje.

Çfarë thotë Bjellorusia?

Në një intervistë me agjencinë shtetërore të lajmeve bjelloruse, Lukashenko tha se donte të shmangte çdo përshkallëzim ushtarak në kufi, i cili mund ta tërheqë Rusinë në një konflikt.

Ai tha se "nuk ishte një i çmendur" dhe e dinte se çfarë ishte në rrezik, por mbeti sfidues, duke thënë "ne nuk do të gjunjëzohemi".

Bjellorusia këmbëngul se emigrantët po mbërrijnë atje legalisht dhe se ajo thjesht po vepron "si një vend mikpritës".

Rusia ka lavdëruar trajtimin e "përgjegjshëm" të aleatit të saj të mosmarrëveshjes kufitare dhe tha se po e vëzhgon situatën nga afër.