"Numri i viktimave nga COVID-19 në Spanjë në 2020 ishte më i lartë"
Instituti Kombëtar i Statistikave vlerëson se rreth 75 mijë persona e kanë humbur jetën nga COVID-19 në vitin 2020.
Instituti Kombëtar i Statistikave të Spanjës zbuloi sot se numri i vërtetë i vdekjeve nga COVID-19 në vitin 2020 në Spanjë ishte shumë më i lartë sesa shifrat zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë.
Duke shikuar pas në certifikatat e vdekjes, agjencia e statistikave zbuloi se 60.358 persona humbën jetën nga virusi pasi rezultuan pozitivë dhe 14.481 persona të tjerë dyshohej se kishin vdekur nga sëmundja infektive.
Përveç këtyre 74.839 vdekjeve, mjekët thanë se 8.275 persona nuk humbën jetën drejtpërdrejt nga COVID-19, por se virusi kontribuoi në vdekjen e tyre.
Këto shifra janë në kontrast të plotë me të dhënat e Ministrisë spanjolle të Shëndetësisë. Për vitin 2020, ministria raportoi 50.837 vdekje nga COVID-19.
Kjo është për shkak se Ministria e Shëndetësisë numëroi vetëm vdekjet e pacientëve që rezultuan pozitivë me virusin.
Por, Spanja, e cila u kap në befasi nga vala e parë shkatërruese, testimet në dispozicion ishin të kufizuara kur sëmundja ishte në gjendjen më të rëndë.
Midis shkurtit dhe majit 2020, Ministria e Shëndetësisë numëroi rreth 29 mijë vdekje nga COVID-19. Ndërkohë, shifra e vërtetë ishte mbi 46 mijë vdekje, tha agjencia e statistikave.
Më vonë, kur filluan të rriten kapacitetet e testimeve në Spanjë, statistikat e ministrisë filluan të pasqyrojnë më nga afër atë që shfaqej në certifikatat e vdekjes.
Studimi shqyrtoi të gjitha shkaqet e vdekjeve për vitin 2020 dhe zbuloi se COVID-19 ishte deri tani shkaku kryesor i vdekshmërisë për këtë vit. Sëmundjet e zemrës ishin shkaku i dytë kryesor i vdekjeve, duke shkaktuar rreth 30 mijë vdekje.
Në përgjithësi, viti 2020 ishte viti më vdekjeprurës në historinë demokratike të Spanjës si për nga numri i popullsisë ashtu edhe në përgjithësi, sipas llogaritjeve nga e përditshmja spanjolle "elDiario".
Në vitin 2021, afër 37 mijë njerëz të tjerë humbën jetën nga sëmundja, duke sugjeruar se mbi 110 mijë njerëz kanë vdekur nga COVID-19 në Spanjë që nga shfaqja e pandemisë.
Spanja tani dallohet për një nga nivelet më të larta të vaksinimit në Evropë dhe shkallën më të ulët të infeksionit, ku 89 për qind e banorëve mbi moshën 12-vjeç janë plotësisht të imunizuar.
Shumë ekspertë kanë sugjeruar se kërdia që bëri COVID-19 në vend gjatë vitit 2020 dhe në fillim të vitit 2021 ka kontribuar në besimin relativisht të lartë tek vaksinat.























