SHBA dhe Kina befasojnë me një deklaratë të përbashkët për klimën
BKT
   Bota

SHBA dhe Kina befasojnë me një deklaratë të përbashkët për klimën

Shtetet e Bashkuara dhe Kina befasuan takimin botëror për klimën COP26, që po mbahet në Glasgou, me një deklaratë të përbashkët, në të cilën zotohen se do të ndërmarrin veprime për të kufizuar ngrohjen globale gjatë dekadës së ardhshme.

Deklarata u bë ndërsa delegatët hynë në orët e fundit të negociatave për të rënë dakord mbi një tekst përfundimtar të konferencës, që do të përkufizojë se si bota do të kufizojë ngrohjen globale në më pak se 1.5 gradë celsius mbi nivelet para-industriale.

Kina dhe Shtetet e Bashkuara janë dy ndotësit më të mëdhenj të mjedisit në botë dhe shkencëtarët thonë se veprimet e tyre në të ardhmen, janë thelbësorë për luftën kundër ndryshimeve klimatike. Mungesa e udhëheqësit kinez, Xi Jinping, në takim javën e kaluar, u kritikua ashpër nga presidenti amerikan, Joe Biden.

I dërguari amerikan për klimën, John Kerry, u tha gazetarëve në Glasgou të mërkurën se deklarata e përbashkët mbështetet në deklaratat e bëra nga të dy vendet në muajin prill.

“Ne shprehëm gjithashtu një dëshirë të përbashkët për sukses në këtë konferencë, për zbutjen, përshtatjen, mbështetjen dhe sinqerisht, për të gjitha çështjet kryesore që do të çojnë në rritjen e ambicies së botës dhe aftësisë për të trajtuar këtë krizë. Tani, me këtë njoftim, ne kemi arritur në një hap të ri, një udhërrëfyes për bashkëpunimin tonë të tanishëm dhe të ardhshëm për këtë çështje", tha zoti Kerry në një konferencë me gazetarë.

“Shtetet e Bashkuara dhe Kina nuk kanë mungesë të dallimeve, por në lidhje me klimën, bashkëpunimi është e vetmja mënyrë për të bërë punë. Kjo nuk është një çështje e ‘zgjedhjes së lirë”, sinqerisht. Kjo është shkencë. Janë matematika dhe fizika që diktojnë rrugën që duhet të ndjekim”, shtoi zoti Kerry.

Kryenegociatori i Kinës për klimën, Xie Zhenhua, u bëri jehonë këtyre qëndrimeve.

"Ndryshimi i klimës është një sfidë, një sfidë e përbashkët, me të cilën përballet njerëzimi", u tha zoti Xie gazetarëve. "Ajo ndikon në mirëqenien e brezave të ardhshëm. Tani, ndryshimet klimatike po bëhen gjithnjë e më urgjente dhe të rënda, duke e bërë atë nga një sfidë e së ardhmes në një krizë ekzistenciale. Në fushën e ndryshimeve klimatike, ka më shumë marrëveshje midis Kinës dhe SHBA-së sesa dallime, duke e bërë atë një hapësirë me mundësi të mëdha për bashkëpunimin tonë”, tha ai.

Ndër zotimet e përbashkëta janë bashkëpunimi për kontrollin e emetimeve të metanit, trajtimin e shpyllëzimit të paligjshëm, rritjen e prodhimit të energjisë së ripërtërishme dhe përshpejtimin e mbështetjes financiare për vendet më të varfra. Por, deklarata nuk përfshinë shumë data apo synime të veçanta.

Reagime të kujdesshme

Pas deklaratës, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, shkroi në Twitter se e mirëpret marrëveshjen midis Kinës dhe SHBA-së për të punuar së bashku dhe për të ndërmarrë veprime më ambicioze në këtë dekadë. “Trajtimi i krizës klimatike kërkon bashkëpunim dhe solidaritet ndërkombëtar dhe ky është një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur”, shkroi ai./VoA