Belgjika që nga viti 2022 do të aplikojë dozën përforcuese kundër COVID-19
Ministrat e shëndetësisë të qeverisë federale dhe rajonale në Belgjikë diskutuan fillimin e një fushate të re të vaksinimit për dozën e tretë të vaksinave kundër COVID-19 e cila emërtohet edhe si doza përforcuese ose rikujtuese.
Qeveria e Belgjikës ka marrë vendimin që duke filluar nga viti 2022 të aplikojë dozën përforcuese të vaksinave kundër koronavirusit të ri (COVID-19) për të gjithë grup- moshat.
Ministrat e shëndetësisë të qeverisë federale dhe rajonale në Belgjikë diskutuan fillimin e një fushate të re të vaksinimit për dozën e tretë të vaksinave kundër COVID-19 e cila emërtohet edhe si doza përforcuese ose rikujtuese.
Në një deklaratë pas takimit të ministrave të shëndetësisë, u njoftua se që nga viti i ardhshëm do të aplikohen dozat e treta për të gjitha shtresat e shoqërisë.
"Duhet të përgatitemi që doza shtesë të aplikohet për të gjithë në vitin 2022. Virusi nuk ka përfunduar dhe është ende transmetues. Vaksinat na sigurojnë mbrojtje kundër virusit. Dy doza nuk janë të mjaftueshme. Për këtë arsye është e rëndësishme të japim dozën e tretë", tha Wouter Beke, ministër i Mirëqenies, Shëndetësisë dhe Familjes.
Aktualisht në Belgjikë po aplikohen dozat e treta të cilat emërtohen si përforcuese për personat mbi 65-vjeç, për ata që kanë sëmundje që dobësojnë sistemin imunitar, si dhe për punonjësit e shëndetësisë.
Qeveria në fillim të kësaj jave mori vendimin se dozën përforcuese mund ta marrin edhe ata që kanë marrë vaksinën 'Johnson & Johnson' e cila aplikohet me një dozë të vetme.
Një pjesë e vendeve të Evropës, pas rritjes së numrit të rasteve në javët e fundit, kanë filluar të hapin dozat e treta për të gjithë me arsyen se është ulur efekti i vaksinave.























