BE-ja e shqetësuar për aktivitetet ruse në kufirin me Ukrainën
BKT
   Bota

BE-ja e shqetësuar për aktivitetet ruse në kufirin me Ukrainën

"Informacionet që kemi mbledhur deri më tani janë shqetësuese. Ne po diskutojmë situatën me partnerët tanë si SHBA-ja dhe Britania e Madhe", tha zëdhënësi i KE-së, Peter Stano.

Bashkimi Evropian tha se informacionet lidhur me aktivitetet ushtarake të Rusisë në kufirin me Ukrainën janë alarmante.

Një nga zëdhënësit e Komisionit Evropian, Peter Stano iu përgjigj pyetjes nëse BE-ja ndan vlerësimin se Rusia ka rritur aktivitetin e saj ushtarak pranë Ukrainës.

Ai tha se BE-ja është fqinje e Ukrainës dhe ndjek nga afër zhvillimet në rajon. Stano tha se grumbullimi i forcave ushtarake ruse në kufirin midis Ukrainës dhe Krimesë, të cilën e aneksoi ilegalisht në pranverë, u diskutua në takimin special të ministrave të Jashtëm të BE-së në prill.

"Që atëherë, BE-ja ka parë se si mund të forcojmë qëndrueshmërinë e Ukrainës", tha Stano.

"Ne vazhdojmë të monitorojmë situatën. Informacionet që kemi mbledhur deri më tani janë shqetësuese. Ne po diskutojmë situatën me partnerët tanë si SHBA-ja dhe Britania e Madhe dhe si mund të zhvillohen gjërat. Po shikojmë hapat që mund të ndërmarrim me këta partnerë kur është e nevojshme përballë zhvillimeve”, tha ai.

Gjatë takimit të kësaj jave në Washington, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe presidenti i SHBA-së, Joe Biden kanë diskutuar edhe për çështjen e Ukrainës, ku është potencuar mbështetja për integritetin territorial dhe sovranitetin e këtij vendi.

Ndërkaq pritet që aktivitetet e Rusisë pranë Ukrainës të jenë në rendin e ditës në dy takimet e veçanta të ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes të vendeve të BE-së javën e ardhshme.

Rusia më 6 prill njoftoi se inspektimet e gatishmërisë së ushtrisë ruse për luftë kanë filluar dhe stërvitjet taktike do të mbahen në rajone të ndryshme.

Pas kësaj Rusia grumbulloi forca ushtarake në kufirin e Krimesë dhe Ukrainës ndërsa u tha se numri i ushtarëve rusë të dërguar ishte mbi 100 mijë. Ministria ruse e Mbrojtjes më 22 prill njoftoi se stërvitjet e trupave në rajonet ushtarake jugore dhe perëndimore të vendit përfunduan dhe se do të tërhiqen ushtarët.