Rusia dështon të dezinformoj gjatë fushatës së zgjedhjeve në Gjermani
BKT
   Bota

Rusia dështon të dezinformoj gjatë fushatës së zgjedhjeve në Gjermani

Rusia kishte intensifikuar sulmet kibernetike gjatë zgjedhjeve të fundit në Gjermani, mirëpo përpjekjet ruse për dezinformim nuk arritën të gjenin audiencë.

Përpara zgjedhjeve, një grup i hakerëve i njohur si "GhostWriter" kishte vënë në shënjestër deputetët e Bundestagut me sulme phishing [mashtrimi nëpërmjet e-mailit] në shkallë të gjerë.

Sipas zyrtarëve të Ministrisë gjermane të Punëve të Brendshme, të cilët i lidhën hakerët me Shërbimin Ushtarak të Inteligjencës ruse (GRU), "GhostWriter" kishte për synim të mblidhte të dhëna private dhe komprometuese për ligjvënësit.

Megjithëse sulmet ruse ishin krijuar për të mbledhur fakte për të zgjeruar fushatën e dezinformimit, ato nuk u zbuluan të dhëna inkriminuese për deputetët gjermanë - as gjatë fushatës zgjedhore dhe as gjatë bisedimeve për krijimin e qeverisë.

Përpara zgjedhjeve, autoritetet gjermane të sigurisë identifikuan deputetët si hallkën më të dobët në mbrojtjen kibernetike të vendit. Institucione të ndryshme, duke përfshirë Zyrën Federale për Sigurinë e Informacionit (BSI) dhe Zyrën Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV), ofruan mbrojtje më të forta. Ata filluan të gjurmonin sulmet kibernetike ruse që nga viti 2017 dhe paralajmëruan Bundestagun se janë në rrezik për t’u komprometuar. 

Kur rusët sulmuan, autoritetet gjermane u përgjigjën shpejt. Një sulm parazgjedhor ndaj Zyrës Federale të Statistikave, drejtori i së cilës shërben si Komisionar Federal i Zgjedhjeve, është identifikuar dhe parandaluar përpara se hakerët të vidhnin ndonjë të dhënë.

Gjermania ushtroi gjithashtu presion politik mbi Rusinë, duke inkurajuar Bashkimin Evropian që të ketë vëmendje dhe kryediplomati i BE-së, Josep Borrell dënoi sulmet kundër Gjermanisë, duke i quajtur ato një kërcënim për "vlerat dhe parimet demokratike" evropiane.

Pa dyshim, mbetet e paqartë nëse mbrojtja kibernetike gjermane dhe ofensiva diplomatike e BE-së i mundën rusët, apo nëse rusët u përmbajtën qëllimisht nga përhapja e dezinfomimit. Sulmet e "GhostWriter" njihen lehtësisht dhe i atribuohen Rusisë pasi grupi nuk i maskon sulmet e veta. Në ofensivën e saj kundër deputetëve gjermanë, "GhostWriter" nuk përdori metoda të avancuara hakimi, duke përdorur vetëm phishing.

Sipas ekspertëve të sigurisë kibernetike, Rusia mund të llogarisë se sulmet kishin vetëm një qëllim edhe nëse dështonin. Sa më shumë medie perëndimore dhe politikëbërës flasin për aftësitë ruse për të ndikuar në zgjedhje, aq më shumë Rusia mund ta portretizojë veten si një fuqi kibernetike.

Drejtuesi i BfV-së, Thomas Haldenwang ka paralajmëruar se hakerët rusë mund të përfitojnë nga papërvojë e anëtarëve të rinj të Bundestagut.

Strategjia evropiane për t'iu kundërvënë sulmeve kibernetike ruse shpesh konsiston në emërtim dhe turpërim, pa ndonjë kundërmasë konkrete.

Washingtoni kohët e fundit ndau informacione të ndjeshme me Qendrën Kombëtare ruse  për Incidentet Kompjuterike, e cila u krijua nga drejtori i Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB). Ndërsa, SHBA-ja synon të nxisë bashkëpunimin me Kremlinin, kjo qendër ka një histori të mirë-dokumentuar bashkëpunimi me hakerët rusë.

Zhvillimet e fundit në Evropë mund të rezultojnë të jenë një ndryshim i lojës. Në vitin 2020, sanksionet e vendosura nga BE-ja pas sulmeve kibernetike ruse në disa raste i kanë zgjatur sanksionet kundër hakerëve rusë.

"Parandalimi i duhur mund të arrihet kur kundërshtarët të kenë një vetëdije më të mirë për kundërmasat e mundshme", argumenton ish-ministri estonez i Punëve të Jashtme, Urmas Paet që tani është deputet evropian i specializuar në sigurinë kibernetike.

Paet dhe ligjvënës të tjerë evropianë duan të sigurojnë pajtueshmëri me vendet evropiane dhe të përforcojnë mjetet e sanksioneve.

Komisioni Evropian ka propozuar një ligj të ri për të zgjeruar numrin e "sektorëve kryesorë", të cilët janë të detyruar të zbatojnë masat e mbrojtjes kibernetike.

Në fund, siç tregon përvoja gjermane, është e mundur të mposhtet hakimi rus, me kusht që të merren masa serioze dhe të shpejta.

Shkrimi i plotë

https://cepa.org/russia-fails-in-german-disinformation-campaign/