Koreja e Jugut regjistroi numrin më të lartë ditor të rasteve me COVID-19
Koreja e Jugut vendi regjistroi 2.125 raste të reja në 24 orët e fundit, duke përfshirë 495 pacientë të shtruar në spital në gjendje të rëndë.
Koreja e Jugut raportoi rreth 500 pacientë në gjendje të rëndë nga koronavirusi i ri (COVID-19), një rekord i lartë që nga shpërthimi i pandemisë në vend.
Sipas agjencisë së lajmeve Yonhap me seli në Seul, vendi regjistroi 2.125 raste të reja në 24 orët e fundit, duke përfshirë 495 pacientë të shtruar në spital në gjendje të rëndë.
Gjithashtu, Koreja e Jugut të shtunën kishte raportuar 485 pacientë në gjendje të rëndë, ndërsa vendi po lufton me valën e katërt të pandemisë.
Që nga 7 korriku, rastet e reja janë rritur në vend pas shfaqjes së variantit Delta. Më 25 shtator, vendi raportoi 3.270 raste, numri më i lartë i rasteve ditore që nga shpërthimi i COVID-19 vitin e kaluar.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, me 2.125 raste të reja, numri total i rasteve në Korenë e Jugut u rrit në 399.591, ndërsa numri i vdekjeve arriti në 3.137 me 22 vdekje të tjera.
Sipas raportimeve, numri i rasteve u rrit pasi qeveria më 1 nëntor lehtësoi kufizimet në të gjithë vendin nën skemën "të jetosh me COVID-19", me qëllim për t'iu kthyer jetës normale.
Sipas skemës së re, qeveria lejoi njerëzit të mblidheshin në grupe deri në 10 persona në kryeqytetin Seul dhe zonat përreth tij, ndërsa kufiri u rrit në 12 në pjesë të tjera të vendit, pavarësisht situatës së vaksinimit.
U hoqën gjithashtu kufijtë e orarit të punës për bizneset, ndërsa njerëzit do të duhet të vazhdojnë të mbajnë maska në ambiente të mbyllura.
Për frekuentim të bareve, klubeve të natës dhe palestrave të brendshme kërkohet vaksinim dhe vizitorët duhet të tregojnë certifikatat e tyre të vaksinimit ose rezultatet negative të testit COVID-19 kur vizitojnë objektet me rrezik të lartë.
Koreja e Jugut po planifikon të heqë të gjitha kufizimet deri në fund të shkurtit të vitit të ardhshëm.
Deri më tani, 42,03 milionë njerëz, ose 81,8 për qind e popullsisë 52 milionëshe të vendit kanë marrë dozën e tyre të parë të vaksinës COVID-19, ndërsa mbi 40 milionë, ose 78,3 për qind e popullsisë janë vaksinuar plotësisht.























