BE-ja miraton 170 milionë dollarë fonde shtesë për refugjatët në Turqi
BKT
   Bota

BE-ja miraton 170 milionë dollarë fonde shtesë për refugjatët në Turqi

Blloku kërkon të zgjasë programin e ndihmës në para për refugjatët më të cenueshëm sirianë deri në fillim të vitit 2023.

Komiteti buxhetor i Parlamentit Evropian miratoi sot 149.6 milionë euro (170 milionë dollarë) fonde shtesë për ndihmën e refugjatëve sirianë në Turqi, njoftoi PE.

Me financimin shtesë, blloku synon të ofrojë "mbështetje të vazhdueshme humanitare për më të cenuarit nga rreth 3.7 milionë refugjatët sirianë në Turqi që u larguan nga konflikti i vazhdueshëm që ka shkatërruar vendin e tyre për më shumë se 10 vjet", thuhet në një njoftim për media.

Mbështetja financiare do të zgjasë programin shumë qëllimesh të asistencës në para të bllokut, i cili ofron transferta mujore për personat në nevojë, deri në fillim të vitit 2023.

Skema e quajtur zyrtarisht Rrjeti i Sigurisë Sociale të Emergjencave, është programi më i madh humanitar në historinë e bllokut dhe ka ndihmuar 1.8 milionë refugjatë të mbulojnë nevojat thelbësore si qiraja, faturat, ushqimi dhe ilaçet.

Shtesa prej 149.6 milionë euro do të financohet nga teprica e mbetur e buxhetit të vitit 2021, por sipas vlerësimeve të Komisionit Evropian, programi i zgjeruar i ndihmës në para do të kërkojë në total 325 milionë euro deri në fillim të vitit 2023.

Pas rekomandimit të komitetit buxhetor, deputetët e BE-së pritet të miratojnë zyrtarisht mbështetjen në seancën e tyre të përgjithshme javën e ardhshme.

Vendet anëtare të BE-së tashmë kanë miratuar një zgjatje të ndihmës humanitare në shtator.

Turqia është vendi me numrin më të madh të refugjatëve sirianë që ka strehuar, duke siguruar mbrojtje për afro 4 milionë njerëz që ikën nga lufta civile, më shumë se çdo vend tjetër në botë.