Kufizimet për abortin nxisin reagime në Iran
Gratë iraniane mbajnë maska, teksa udhëtojnë me një autobus në Teheran. Shkurt, 2020.
Gouya, një grua 43-vjeçare nga Irani, ka vendosur të mos ketë fëmijë. Por, e drejta e saj për të zgjedhur kërcënohet nga shteti.
Autoritetet kanë miratuar një legjislacion të ri, që vendos kufizime të mëtejme mbi abortet mjekësore, ndalon shpërndarjen falas të kontraceptivëve nga sistemi publik i shëndetësisë dhe ofron përfitime shtesë nga shteti për familjet që kanë më shumë fëmijë.
Ky ligj është përpjekje e autoriteteve për të nxitur rritjen e popullsisë së Iranit - një shtet me rreth 84 milionë banorë.
Në vitet e fundit është rritur numri i grave iraniane që kanë zgjedhur të kenë më pak fëmijë ose të mos kenë fëmijë fare - kryesisht për shkak të problemeve ekonomike, ndryshimit të normave gjinore, rritjes së numrit të vajzave të shkolluara dhe programeve për planifikim familjar.
Ky trend ka bërë që norma e rritjes së popullsisë së Iranit nga mbi 4 për qind në vitet 1980, të bie në 1.29% në vitin 2020. Këto të dhëna të Bankës Botërore kanë alarmuar udhëheqësinë e Iranit.
Ligji është nënshkruar nga presidenti i linjës së ashpër, Ebrahim Raisi, më 16 nëntor. Legjislacioni për “ripërtëritjen e popullsisë dhe mbështetjen e familjes” është kritikuar gjerësisht.
Grupet për të drejtat e njeriut dhe ekspertët shëndetësorë kanë paralajmëruar se ligji i ri do të kufizojë qasjen e grave në abortet mjekësore, që mund të çojë në shtatzëni të padëshiruara dhe lindjen e fëmijëve me probleme shëndetësore. Sipas tyre, një ligj i tillë mund të rrisë edhe përhapjen e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, përfshirë AIDS-in.
Gouya, që jeton në një zonë të pasur të kryeqytetit, Teheran, e përshkroi ligjin si “qesharak”, duke dënuar ndërhyrjen e shtetit në jetën personale të qytetarëve. Ajo tha se gratë si ajo, do të gjejnë mënyra për t'i shmangur këto rregulla të reja.
“Në vend që t'i zgjidhin problemet ekonomike, (autoritetet) duan që edhe më tej të ndërhyjnë në jetën tonë”, tha Gouya për Radion Evropa e Lirë.























