Fixhi, burrat indigjenë po humbasin gjymtyrët për shkak të diabetit
"Nivelet e sheqerit janë jashtë kontrollit tek 75 për qind e banorëve iTaukei ose `Pronarët e Tokës` që vizitojnë spitalet", tha kirurgu kryesor, Dr. Timoci Qereqeretabua.
Një trend shqetësues është vërejtur në shtetin ishullor të Fixhit, ku një numër në rritje i burrave nga një rajon i caktuar po përballen me amputim të gjymtyrëve.
Dr. Timoci Qereqeretabua tha se një numër në rritje i burrave midis moshës 50 dhe 64-vjeç që jetojnë në korridorin Suva-Nausori të vendit po humbasin këmbët e tyre nga diabeti, raportoi e përditshmja "The Fiji Times".
ITaukei ose "Pronarët e Tokës" janë popullsia më e madhe indigjene në Fixhi ndërsa ata jetojnë në një rajon të njohur si Melanezia. Popullsia totale e Fixhit është më pak se 1 milion.
"Kjo është shqetësuese sepse një numër i madh i popullatës sonë të punës dhe popullatës së re po humbasin gjymtyrët në një moshë shumë të re", tha Qereqeretabua, i cili është kirurg i përgjithshëm në Spitalin Memorial të Luftës Koloniale (CWMH).
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), diabeti është shkaku kryesor i verbërisë, dështimit të veshkave, sulmeve në zemër, goditjes në tru dhe amputimit të gjymtyrëve të poshtme.
"Të jesh iTaukei është një faktor rreziku pasi shumica e amputimeve nën gju përfshijnë burrat e rinj fixhianë".
Mjeku tha se të dhënat tregojnë se 71 për qind e “amputimeve poshtë gjurit në 2016 dhe 2017 ishin iTaukei ndërsa 69 për qind e tyre jetonin në korridorin Suva-Nausori”.
Korridori Suva-Nausori përbëhet nga tre komuna Suva, Nasinu dhe Nausori.
“Kjo është interesante pasi që ne menduam se problemi ishte në qasjen e kujdesit spitalor, por ne kuptuam se 69 për qind e atyre që ishin amputuar jetojnë brenda zonës Suva-Nausori ku qasja në kujdesin shëndetësor nuk është problem", theksoi Qereqeretabua.
"Përveç kësaj, shumica e njerëzve nuk e dinë se janë diabetikë. Madje, 75 për qind e njerëzve që vijnë në spitale kanë nivele të pakontrolluara sheqeri", shtoi ai.
"Ne jemi duke menaxhuar komplikimet e diabetit, por çfarë mund të bëjmë që ta kontrollojmë sheqerin përpara se të vijnë për amputim është një faktor kyç në menaxhimin e diabetit", tha Qereqeretabua.
Të dhënat spitalore tregojnë se "amputime që lidhen me diabetin kryhen çdo 17 orë vetëm në Spitalin CWM ndërsa operacionet e lidhura me diabetin përbënin 40 deri në 50 për qind të punës së një kirurgu në CWMH", sipas raportit të lajmeve.
Më poshtë thuhet se në vitin 2017, madje 578 amputime të lidhura me diabetin u bënë në spitalet CWM, Lautoka dhe Labasa.
Në fillim të këtij muaji, OBSH-ja tha se numri i personave me diabet është rritur nga 108 milionë në 1980 në 422 milionë në vitin 2014.
"Prevalenca është rritur më shpejt në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme sesa në vendet me të ardhura të larta", tha OBSH-ja.
“Në vitin 2019, diabeti ishte shkaku i nëntë kryesor i vdekjeve me rreth 1.5 milionë vdekje të shkaktuara drejtpërdrejt nga diabeti”, potencon raporti.























