Adams: Zotohet se do të rikthejë besimin midis policisë dhe qytetarëve
BKT
   Bota

Adams: Zotohet se do të rikthejë besimin midis policisë dhe qytetarëve

Kryebashkiaku i sapozgjedhur i New Yorkut, Eric Adams flet për synimet e tij për sigurinë publike dhe rimëkëmbjen pas pandemisë.

Kryetari i zgjedhur i bashkisë së New Yorkut, Eric Adams tha se është e domosdoshme të rikthehet besimi midis oficerëve të policisë dhe qytetarëve, i cili sipas tij është thyer prej vitesh.

“E vetmja mënyrë për ta rikthyer këtë është të jemi të sinqertë me të”, tha Adams në një intervistë për Anadolu Agency në Manhattan të enjten. Kjo është intervista e parë me mediat ndërkombëtare pas fitores së tij në zgjedhje.

Adams shërbeu në Departamentin e Policisë së New Yorkut për 22 vjet. Si ish-kapiten policie, kryebashkiaku i zgjedhur tha se e di se çfarë është të veshësh uniformë policie dhe të veshësh jelek antiplumb dhe të mbrosh fëmijët dhe familjet.

Në fjalën e tij, kryetari i zgjedhur tha se prioriteti i tij është të punojë me oficerët e policisë për sigurinë publike në të gjithë qytetin.

"Si e para, unë do të kem përkrahjen e oficerëve të mi të policisë. Unë do t'u jap atyre mbështetjen që ta bëjnë punën e tyre dhe do t'i lejoj ata të zbatojnë aspekte të sigurisë publike për të mbajtur në nivel sigurinë e qytetit tonë", tha Adams.

Ai do t'i porosisë punonjësit e policisë që "të kryejnë rolin e zbatimit të ligjit me fisnikërinë që meriton".

Adams tha gjithashtu se do të merrte masa kundër oficerëve "abuzues" të policisë.

Gjatë fushatës së tij në maj për garën për kryetar bashkie, kryebashkiaku i zgjedhur u zotua se do të largonte oficerët "abuzues" të policisë brenda tre muajve pas ndonjë incidenti nëse bëhet kryetar bashkie.

"Nuk mund të lejojmë oficerët që janë tepër abuzues të qëndrojnë në Departamentin e policisë. Ata do të largohen dhe ne do të kemi një departament që do të jetë më i miri, sepse besoj se është më i miri", tha ai për AA.

Adams, nga radhët e demokratëve, fitoi zgjedhjet për kryebashkiak të qytetit të New Yorkut më 2 nëntor ndërsa 61-vjeçari do të marrë detyrën më 1 janar.

Rimëkëmbja pas COVID-19

Duke iu përgjigjur një pyetjeje se si do të ringjallet qyteti në një epokë pas pandemisë, kryebashkiaku i ri përshkroi tri synime për një rikuperim "të shëndetshëm".

"COVID-19 shkatërroi institucionet tona financiare", tha Adams, duke rikujtuar se shumë njerëz janë ende pa punë dhe shumë biznese të vogla janë mbyllur.

Ai tha se qyteti i New Yorkut do të tregojë elasticitet ndërsa do të kthehet në normalitet. “Ne duam që njerëzit të marrin pjesë në procesin e vaksinimit dhe të vaksinohen. Virusi është një armik i fuqishëm dhe vaksina është një kundërpeshë e fortë ndaj këtij armiku”, tha kryebashkiaku i zgjedhur.

"Së dyti, ne duhet t'i kthejmë punonjësit në hapësirat e zyrave. Dhe së fundmi ne duhet të jemi të sigurt. Parakusht për prosperitetin e qytetit tonë është siguria publike", tha Adams.

"Pra, ne duam të sigurohemi që qyteti të vazhdojë të jetë një qytet i sigurt në mënyrë që njerëzit këtu të rrisin fëmijë dhe familje të shëndetshme", shtoi ai.

Qyteti i New Yorkut dikur ishte epiqendra e pandemisë dhe tani qyteti po rihapet. Aktualisht, ka 1.1 milion raste të raportuara dhe është një rrezik shumë i lartë për njerëzit e pavaksinuar, sipas "New York Times".