OKB i bën thirrje SHBA-së të parandalojë diskriminimin ndaj pakicave
BKT
   Bota

OKB i bën thirrje SHBA-së të parandalojë diskriminimin ndaj pakicave

"Mungesat ligjore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mundësojnë që miliona amerikanë kryesisht pakicat t`i nënshtrohen trajtimeve të tilla si pabarazi, diskriminim dhe izolim dhe që krimet e urrejtjes ndaj këtyre pakicave të rriten".

Raportuesi Special i Kombeve të Bashkuara (OKB) për Çështjet e Pakicave, Fernand de Varennes, kërkoi rishikimin e rregulloreve lidhur me parandalimin e retorikës së urrejtjes dhe diskriminimit ndaj grupeve të pakicës në SHBA.

Në një deklaratë me shkrim pas vizitës në SHBA, De Varennes, bëri vlerësime lidhur me dhunën policore ndaj afro-amerikanëve kohët e fundit në SHBA dhe me diskriminimin në rritje ndaj shtetasve me origjinë latine.

Duke rikujtuar se me ndryshimet e bëra në 60 vitet e fundit janë bërë përpjekje për të përditësuar ligjin e pakicave në SHBA, De Varennes tha se "SHBA-ja është një shtet plot kontradikta kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut dhe pakicat".

"Mungesat ligjore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mundësojnë që miliona amerikanë kryesisht pakicat t'i nënshtrohen trajtimeve të tilla si pabarazi, diskriminim dhe izolim dhe që krimet e urrejtjes ndaj këtyre pakicave të rriten", vlerësoi De Varennes, duke bërë të ditur se retorikat e urrejtjes të përhapura në vitet e fundit kryesisht në median sociale kanë zbuluar mangësitë në fushën e të drejtave të njeriut në vend.

Duke iu referuar George Floyd dhe Breonna Taylor që kanë humbur jetën si pasojë e dhunës policore në vitet e fundit dhe Ahmed Arbery që humbi jetën si pasojë e sulmit racist, De Varennes deklaroi se "Afro-amerikanët janë pakica më e përjashtuar në vend dhe ata kanë më shumë gjasa të jenë objektiv i krimeve dhe retorikave të urrejtjes".

De Varennes mbrojti idenë e tij se ligjet për pakicat duhet të kalojnë nga një reformë serioze për mbrojtjen dhe trajtimin e barabartë të pakicave në SHBA.

"Ndërtimi i një Amerike të re nevojit një marrëveshje të re që përfshin të gjithë amerikanët. Kjo marrëveshje është më shumë e nevojshme për popullin indigjen, afro-amerikanët, latinët dhe pakicat e tjera të cilët u janë nënshtruar diskriminimit deri më tani", tha De Varennes.