Si po i përdorë media “Sputnik” imazhet e fëmijëve emigrantë për propagandë
Kriza me emigrantë e cila është shkaktuar në kufirin mes Bjellorusisë dhe disa vendeve të Bashkimit Evropian (Poloni, Lituani, Letoni, Estoni) është shfaqur si mjeti më i ri i luftës hibride të Bjellorusisë dhe Rusisë kundër vendeve anëtare të BE-së dhe NATO-s, për të shkaktuar destabilizim të sigurisë në kufijtë e jashtëm të BE-së.
Bjellorusia dhe Rusia, kanë përdorur krizën me emigrantë për propagandë kundër Perëndimit. Jo rrallë mediat ruse kanë përdorur imazhe të emigranteve, përfshirë edhe fëmijë, për të krijuar narracionin se perëndimi (vendet anëtare të BE dhe NATO) cenojnë të drejtat e njeriut dhe të drejtën humanitare.
Agjencia ruse e lajmeve “Sputnik” ka shpërndarë një video propagandistike, në të cilën paraqiten disa fëmijë emigrantë të cilët shfaqen para policisë polake dhe para telave gjemborë duke brohoritur “I love you Poland (Të dua Poloni)”.

Në disa raste tjera fëmijët janë përdorur nga forcat bjelloruse të sigurisë, për të sulmuar forcat polake të sigurisë dhe për të nxitur tensione në kufi. Ditë më parë Roja kufitare polake ka publikuar një video në të cilën një fëmijë emigrant pyet rojet kufitare bjelloruse nëse ky është momenti i duhur për të filluar të hedhin gurë mbi rojet kufitare polake.
Në një video tjetër të paraqitur në rrjetet sociale shfaqen emigrantët teksa fryjnë tymin e cigares në fytyrat e fëmijëve të tyre për t’i bërë ata të qajnë para kamerave dhe më pas deklarojnë se “polakët e këqij përdorin gaz lotsjellës kundër fëmijëve”.

Agjencitë ruse të lajmeve të kontrolluar nga qeveria ruse, janë të njohura për përdorimin e krizave humanitare dhe me refugjatë për qëllime propagandistike.























