Angli, vdekjet nga COVID-19 për herë të parë në 8 muaj mbi 1000
Numri i vdekjeve javore nga COVID-19 të regjistruara në Angli dhe Uells ka kaluar 1 000 për herë të parë në tetë muaj.
“Janë regjistruar 1 020 vdekje në javën që përfundon më 12 nëntor, në të cilat koronavirusi është përmendur në certifikatën e vdekjes”, njoftoi Zyra për Statistikat Kombëtare (ONS).
COVID-19 përbënte rreth një në 12 nga të gjitha vdekjet e regjistruara gjatë periudhës shtatëditore.
Numri është rritur 3 për qind nga një javë më parë, kur u regjistruan 995 vdekje.
Kjo është edhe hera e parë që totali javor ka kaluar 1 000 që nga java që përfundon më 12 mars, gjatë bllokimit kombëtar të vitit 2021.
Personat e moshës 80 vjeç e lart përbënin 44,6 për qind të vdekjeve të regjistruara në javën deri më 12 nëntor, përqindja më e ulët për këtë grupmoshë që nga java deri në 27 gusht, sipas analizës nga agjencia e lajmeve PA.
Shifra është në rënie nga 46,2 për qind në javën e kaluar dhe 50,4 për qind dy javë më parë.
Rënia mund të pasqyrojë ndikimin e dozave përforcuese të vaksinës COVID-19, që filloi të shpërndahej në fund të shtatorit për të gjithë mbi 50-at që kishin kaluar të paktën gjashtë muaj nga doza e dytë./atsh























