Macron: Nuk do lejojmë që “La Mansh-i” të kthehet në varrezë
Sharr Travel

Macron: Nuk do lejojmë që “La Mansh-i” të kthehet në varrezë

Të paktën 27 persona humbën jetën pasi varka e tyre u përmbys në përpjekje për të kaluar kanalin “La Mansh” nga Franca drejt Mbretërisë së Bashkuar, duke shkaktuar një ndër incidentet më të rënda të viteve të fundit.

Dy persona arritën të mbijetojnë dhe ndodhen në spital në gjendje të rëndë me hipotermi.

Në mesin e viktimave ishte një vajzë e vogël dhe pesë gra, ndërsa një emigrant është në kërkim.

Ministri i Brendshëm francez bëri të ditur se deri tani janë arrestuar pesë të dyshuar për përfshirjen në transportin ilegal të emigrantëve.

“Kemi arrestuar 5 kontrabandistë. Varka që u mbytën emigrantët është blerë në gjermani. Duhet të kuptojmë se po flasim për rrjete ndërkombëtare që janë shumë të ngjashme me ato të terroristëve. Kriminelët që për disa mijëra euro organizojnë trafikun e qenieve njerëzore nga Iraku, Afganistani, Afrika, Azia dhe që më pas i përdorin për t’i sjellë në Belgjikë, Holandë, Francë, veçanërisht për të kaluar Kanalin dhe për të shkuar në Britaninë e Madhe”

Kryeministri britanik Boris Johnson dhe presidenti i Francës Emmanuel Macron në një bisedë telefonike ranë dakord për urgjencën e ndalimit të migracionit të parregullt.

Në një deklaratë për shtyp thuhet se dy udhëheqësit ranë dakord të përshpejtojnë përpjekjet e përbashkëta për të parandaluar kalimet vdekjeprurëse.

Ndërkohë më herët kryeministri Johnson i kërkoi Francës të ndërmarrë masa më të rrepta për të frenuar kalimin e refugjatëve.

“Ne e patëm të vështirë të bindnim disa nga partnerët tanë, veçanërisht francezët, që të ngriheshin në këmbë, por unë i kuptoj vështirësitë me të cilat përballen të gjitha vendet dhe ajo që duam tani është të bëjmë më shumë së bashku”

Presidenti francez Emmanuel Macron u shpreh se Franca “nuk do të lejojë që Kanali të bëhet një varrezë”./vp