Mirjana Spoljaric Egger zgjidhet femra e parë presidente e Kryqit të Kuq
BKT
   Bota

Mirjana Spoljaric Egger zgjidhet femra e parë presidente e Kryqit të Kuq

Organizata humanitare me seli në Gjenevë përmes një kumtese njoftoi se diplomatja zvicerane do të pasojë presidentin aktual Peter Maurer.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) njoftoi se ka zgjedhur diplomaten zvicerane dhe zyrtaren e OKB-së, Mirjana Spoljaric Egger, si presidenten e ardhshme, duke e bërë atë gruan e parë që udhëheq me këtë organizatë.

Organizata humanitare me seli në Gjenevë përmes një kumtese njoftoi se Mirjana Spoljaric Egger do të pasojë presidentin aktual Peter Maurer, i cili tërhiqet në shtator të vitit 2022 pas 10 vjetëve shërbim.

Asambleja, që është organi drejtues i ICRC-së, zgjodhi Egger-in e cila aktualisht është ndihmëse e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe drejton Byronë Rajonale për Evropën dhe Komonuelthin e Shteteve të Pavarura në programin zhvillimor të OKB-së. Ajo do të fillojë mandatin 4-vjeçar më 1 tetor 2022.

"Jam i bindur se ajo do të jetë një avokat i fuqishëm dhe i mëshirshëm për njerëzit e ndikuar nga konfliktet e armatosura dhe nga dhuna", tha Maurer.

Egger tha se Kryqi i Kuq qëmoti e ka inspiruar atë në misionin e saj global.

"Do të synoj të nxjerr në pah nevojat e më të prekurve dhe bëj drejtësi me ndikimin e pabesueshëm të ekipeve të ICRC-së në mjediset e konfliktit në mbarë botën", tha ajo.

ICRC mbron viktimat e konflikteve në shtet në mbarë botën dhe ka fituar tre herë Çmimin e Nobelit për Paqe, në vitet 1917, 1944 dhe 1963.