Rusi, 11 të vdekur e dhjetëra të bllokuar nga zjarri në një minierë qymyri
BKT
   Bota

Rusi, 11 të vdekur e dhjetëra të bllokuar nga zjarri në një minierë qymyri

Sipas autoriteteve ruse, nga zjarri në një minierë qymyri në Siberi kanë humbur jetën 11 persona dhe mbi 40 të tjerë janë plagosur.

Nga zjarri në minierën e qymyrit në rajonin Kemerovo në Siberinë jugperëndimore, në Rusi, sipas autoriteteve humbën jetën 11 persona dhe janë plagosur më shumë se 40 të tjerë, ndërkohë dhjetëra të tjerë ende mbeten të bllokuar.

Duke cituar një zyrtar të paidentifikuar të urgjencës, agjencia shtetërore ruse e lajmeve Tass raportoi se pluhuri i qymyrit mori flakë dhe se tymi mbushi shpejt minierën Litsvyazhnaya përmes sistemit të ventilimit.

Guvernatori i Kemerovës, Sergei Tsivilyov, tha se gjithsej 285 persona ishin në minierë në momentin e incidentit, 239 prej tyre janë evakuuar dhe 46 minatorë të tjerë janë ende të bllokuar nën tokë.

“Dyzet e tre persona janë shtruar në spital me lëndime, katër prej tyre në gjendje të rëndë”, tha Tsivilyov.

Përpjekjet për të shpëtuar minatorët e tjetër janë ende në vazhdim, ndërsa ka pengesë nga sasia e madhe e tymit.

Komiteti Hetues i Rusisë ka nisur një hetim penal për zjarrin me akuzën e shkeljes së rregullave të sigurisë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve se presidenti Vladimir Putin shprehu ngushëllimet e tij për familjet e minatorëve të vdekur dhe urdhëroi qeverinë që të ofrojë të gjithë ndihmën e nevojshme për të plagosurit.