Varianti i ri i COVID, Britania vendosi 6 vende afrikane në “listën e kuqe”
"Agjencia për siguri shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar (UKHSA) është duke hetuar variantin e ri. Duhen më shumë të dhëna, por ne po marrim masa tani", deklaroi ministri britanik i Shëndetësisë, Sajid Javid.
Për shkak të variantit të ri të koronavirusit (COVID-19), i njohur si B.1.1.529, i cili është vërejtur në Afrikën e Jugut dhe Botsvana, Mbretëria e Bashkuar ka vendosur gjashtë vende afrikane në listën e kuqe të udhëtimeve.
"Agjencia për siguri shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar (UKHSA) është duke hetuar variantin e ri. Duhen më shumë të dhëna, por ne po marrim masa tani", shkroi në rrjetet sociale ministri britanik i Shëndetësisë, Sajid Javid.
Duke theksuar se gjashtë vende afrikane janë shtuar në listën e kuqe dhe se fluturimet do të pezullohen përkohësisht nga sot pasdite, Javid tha se Afrika e Jugut, Lesoto, Namibia, Botsvana, Esvatini dhe Zimbabve janë shtuar në listë.
Udhëtarët nga këto vende do të jenë në karantinë të detyrueshme dhe Javid shtoi se shkencëtarët janë "jashtëzakonisht të shqetësuar" për variantin e ri të koronavirusit.
Duke theksuar se varianti i ri mund të jetë më ngjitës se tipi Delta, Javid tha se vaksinat ekzistuese mund të jenë më pak efektive kundër variantit të ri të koronavirusit.
"Ky mund të jetë varianti më i keq që kemi parë deri më tani", tha UKHSA.
Fluturimet nga Afrika e Jugut, Namibia, Lesoto, Botsvana, Esvatini dhe Zimbabve do të pezullohen sot nga ora 12:00, dhe pasagjerët që mbërrijnë nga vendet e lartpërmendura në Britaninë pas orës 16:00 të së dielës do të duhet gjithashtu të karantinohen.
Asnjë rast i variantit të ri të COVID-19 nuk është raportuar deri më tani në Britani.
Një variant i ri i COVID-19, i quajtur B.1.1.529, është regjistruar në Afrikën e Jugut dhe Botsvana, me një numër të madh mutacionesh. Virusi u gjet te një person që udhëtonte nga Afrika e Jugut në Hong Kong.
Thuhet se varianti B.1.1.529, i cili cilësohet si “super variant”, ka 32 mutacione.
Sipas ekspertëve, ende nuk dihet nëse vaksinat aktuale janë efektive kundër këtij varianti.























