Britani, protestë pas vdekjes së dhjetëra emigrantëve në La Mansh
Sharr Travel

Britani, protestë pas vdekjes së dhjetëra emigrantëve në La Mansh

Protestuesit u mblodhën përpara Ministrisë së Brendshme duke mbrojtur idenë se edhe Britania ka përgjegjësi për vdekjet.

Në kryeqytetin e Britanisë së Madhe, Londër u mbajt protestë kundër politikës së qeverisë për migracionin pasi të paktën 27 persona humbën jetën si pasojë e përmbytjes së një varke që transportonte emigrantë të parregullt në La Mansh.

Protestuesit u mblodhën përpara Ministrisë së Brendshme duke mbrojtur idenë se edhe Britania ka përgjegjësi për vdekjet.

Duke mbajtur në duar pankarta me mbishkrimet "Edhe Britania është fajtore", "Kufijtë vrasin", "Askush nuk është i paligjshëm" protestuesit kërkuan që Britania të ndryshojë politikën e saj të migracionit.

Në fjalimet e mbajtura u theksua se masat e marra shkaktojnë vdekje në vend që të ndalojnë emigrantët dhe u tha se "Kjo nuk është një krizë emigracioni. Është një krizë njerëzore, një krizë mëshire, një krizë e krijuar nga njeriu".

Është vërejtur se gjatë protestës disa protestues bllokuan trafikun. Gjatë protestës disa protestues u ndaluan dhe u arrestuan nga policia.

Macron i bëri thirrje për takim emergjent BE-së

Të paktën 27 emigrantë të parregullt, përfshirë 5 gra dhe 1 vajzë humbën jetën si pasojë e përmbytjes së një varke që transportonte emigrantë të parregullt të cilët bënë përpjekje për të kaluar nga Franca në Britani nëpërmjet La Manshit.

Lidhur me ngjarjen janë arrestuar 4 persona ndërkohë që presidenti i Francës, Emmanuel Macron në një deklaratë bëri thirrje që Bashkimi Evropian të zhvillojë takim urgjent lidhur me "problemin e migracionit".

Ai tha se duhet të forcohen menjëherë mundësitë e Agjencisë së Rojës Bregdetare dhe Kufirit të BE-së (Frontex). "Franca nuk do të lejojë që La Manshi të shndërrohet në varrezë", potencoi Macron.


MË SHUME NGA Bota