Portugalia kthen kufizimet për frenimin e përhapjes së COVID-19
Sharr Travel

Portugalia kthen kufizimet për frenimin e përhapjes së COVID-19

Portugalia, një nga vendet më të vaksinuara në botë, ka njoftuar disa masa për të frenuar rritjen e epidemisë së Covid-19, përfshirë një javë kufizime të shtrënguara pas festave të fundvitit, njoftoi kryeministri portugez, Antonio Costa.

“Ne po verifikojmë një përkeqësim të situatës shëndetësore”, tha Costa në një konferencë për shtyp, pas një takimi të kabinetit.

“Ky është momenti i duhur për të miratuar masa të reja, sepse po hyjmë në një fazë të rritjes së rrezikut”, shtoi ai.

Pas festave të fundvitit, nga data 2 deri më 9 janar, puna në distancë do të bëhet e detyrueshme, pushimet e nxënësve do të zgjaten, ndërsa lokalet dhe klubet e natës do të mbyllin dyert.

Me 87 për qind të popullsisë së saj plotësisht të vaksinuar, Portugalia po përjeton një rritje të mprehtë të kontaminimit me COVID-19.

Të enjten, vendi regjistroi 3 150 raste të reja në 24 orët e fundit, sipas raportit të autoriteteve shëndetësore, në nivelin më të lartë në gati katër muaj.

Për të përballuar këtë situatë, nga 1 dhjetori do të rikthehen disa masa.

Do të rekomandohet puna në distancë, maska ​​do të bëhet e detyrueshme në ambiente të mbyllura dhe do të kërkohet certifikata shëndetësore në restorante dhe hotele.

Për më tepër, një test negativ do të jetë i nevojshëm për të ndjekur ngjarje të mëdha kulturore ose sportive, për të shkuar në azile pleqsh ose në bare dhe klube nate.

Sa i përket udhëtimit, duhet të paraqitet një rezultat negativ për të gjitha fluturimet drejt Portugalisë./atsh


MË SHUME NGA Bota