Lukashenko i kërkon Gjermanisë pritjen e migrantëve
Sharr Travel

Lukashenko i kërkon Gjermanisë pritjen e migrantëve

Dy mijë emigrantë të bllokuar në kufirin polako-bjellorus duhet të hyjnë në Gjermani, deklaroi presidenti bjellorus Alexander Lukashenko.

“Dy mijë njerëz, jo shumë për Gjermaninë. Kancelarja Merkel e ka pranuar këtë”, shtoi ai.

Lukashenko i bëri komentet pas telefonatave të fundit me kancelaren Merkel për krizën kufitare, edhe pse Berlini ka mohuar opinionin e tij për situatën.

Udhëheqësit e Evropës Perëndimore thonë se kjo krizë është fryt i Lukashenkos.

I zemëruar që Bashkimi Evropian refuzoi të pranonte fitoren e tij të diskutueshme në zgjedhjet e vitit 2020, ai dyshohet se ftoi njerëzit në vendet e shkatërruara nga lufta të Lindjes së Mesme të fluturonin për në Bjellorusi, duke u premtuar atyre kalimin në BE.

Mijëra njerëz mbërritën në Bjellorusi, por, pasi arritën në kufijtë e BE-së, e gjetën rrugën e bllokuar.

Kjo ka çuar në trazira në javët e fundit, me njerëz që përpiqen të sulmojnë kufirin përpara se të tërhiqen në kampet informale.

Duke folur në një qendër të ngritur për emigrantët në Bruzgi, Lukashenko theksoi se ”njerëzit thjesht duan të shkojnë në Gjermani, ku shumë prej tyre kanë të afërm që i presin”./atsh