AstraZeneca po e ekzaminimon ndikimin e variantit të ri ndaj vaksinës
Kompania “AstraZeneca” tha të premten se është duke e ekzaminuar ndikimin e një varianti të ri të koronavirusit, që po përhapet shpejt në Afrikën Jugore, në vaksinën e saj dhe në një ilaç tjetër me antitrupa, duke shtuar se ka shpresë që ilaçi me kombinim do ta ruajë efikasitetin.
Organizata Botërore e Shëndetësisë të premten e cilësoi variantin B.1.1.529 variant shqetësues. Ky variant po shënohet më së shumti në Afrikën Jugore dhe ka numër të madh të mutacioneve, shkruan Reuters.
“AstraZeneca” ka shpërndarë dy miliardë doza të vaksinës së saj në mbarë botën, ndonëse përdorimi i kësaj vaksine në Afrikën Jugore është ndërprerë në shkurt, pasi u vërejt se ofronte mbrojtje minimale kundër sëmundjes së lehtë dhe të mesme të shkaktuar nga varianti Beta, që në atë kohë ishte mbizotërues në shtetin e largët.
“Si me cilindo variant të ri, po e shikojmë variantin B.1.1.529 për të kuptuar më shumë rreth tij dhe për ndikimin ndaj vaksinës”, tha kompania “AstraZeneca” në një deklaratë, duke shtuar se është duke kryer hulumtime në Botsvanë dhe Esvatini për të mbledhur të dhëna.
Kompania anglo-suedeze theksoi se vaksina e saj është treguar efektive kundër të gjitha varianteve shqetësuese të koronavirusit.
“AstraZeneca” gjithashtu tha se ka zhvilluar një platformë të vaksinave për t’iu përgjigjur shpejt varianteve të reja me Universitetin e Oksfordit, ku vaksina është zhvilluar. Më parë ka thënë se është duke punuar për një variant të vaksinës për ta vënë më mirë në shënjestër variantin Beta.























