Te fëmijët në Kosovë është përhapur sëmundja e duarve, këmbëve dhe gojës
Sharr Travel

Te fëmijët në Kosovë është përhapur sëmundja e duarve, këmbëve dhe gojës

Te fëmijët në Kosovë, është përhapur sëmundja virale e shputave, shuplakave dhe e gojës. Ky virus, karakterizohet te moshat nën 5 vjeç, thonë infektologët në vend. Por, mjekët pediatër kanë deklaruar se ky virus që tashmë është përhapur, nuk përbën rrezik për fëmijët, ndonëse është i vështirë derisa të tejkalohet.

Sëmundja e duarve, këmbëve dhe gojës,konsiderohet të jetë sëmundje e zakonshme ngjitëse te fëmijët. Këtë sëmundje e shkakton një virus, ndërsa simptomat e saj janë klasike ndaj edhe lehtë vërehet. Ulçera dhe flluska,shfaqen rreth dhe brenda gojës, e përcjellë me pika të kuqe ne duar dhe shputa të këmbëve. Ky virus është përhapur te fëmijët në Kosovë. Por mjekja pediatre, Rita Berisha, ka thënë se prindërit nuk duhet të shqetësohen, meqë virusiështë i menaxhueshëm.

Kohëve të fundit ka shumë raste, por nuk është virus i ri. Kohë pas kohe lajmërohet te fëmijët, por në këtë kohë kemi rritje të numrit të të infektuarve për shkak të ambienteve të mbyllura. Pra, fëmijët në çerdhe, në qendra tregtare të mbyllura e ku ka shumë fëmijë, bartet virusi’’, tha Berisha.

Foshnjat dhe fëmijët më të vegjël se 5 vjeç zakonisht preken më së lehti nga ky virus, ndërsa adoleshentët, madje edhe të rriturit,mund të kaplohen nga kjo sëmundje. Zakonisht shpërndahet si sëmundje gjatë verës dhe vjeshtës së hershme.

Për këtë sëmundje e që trajtohet nga infektologët, por edhe nga mjekët pediatër, ka folur edhe infektologia Njomza Geca.

Sëmundja e shputave, shuplakave dhe gojës është një sëmundje që paraqitet në ndryshime në lëkurë e që e dimë se viruset ekarakterizojnë verën dhe muajt e hershëm të vjeshtës, siç është edhe kjo e fundit. Nuk është shqetësuese e as e re, por që ka më shumë raste. Simptomat që kanë fëmijët janë dhembje fyti, dhembje goje, temperaturë’’, ka thënë infektologia Geca për Radio Kosovën.

Mjekët theksojnë se meqë kjo sëmundje është ngjitëse, është e rëndësishme shmangia e kontakteve me personat që janë të infektuar. Megjithatë, sipas tyre, fëmijët nuk dinë të dallojnë kur një person është i infektuar, andaj e vetmja armë për t’u mbrojtur është higjiena personale.

Autor: Ariana Kasapolli, Radio Kosova