Beaune: Koalicioni i qeverisë gjermane, një marrëveshje e mirë për Evropën
Sharr Travel

Beaune: Koalicioni i qeverisë gjermane, një marrëveshje e mirë për Evropën

Marrëveshja e koalicionit e qeverisë së ardhshme gjermane ofron një bazë jashtëzakonisht solide pune për reformimin e Evropës, mirëpriti sot Franca, që do të marrë presidencën e rradhës së BE-së më 1 janar.

“Është një marrëveshje shumë e mirë koalicioni nga pikëpamja evropiane, për Francën si partnere kryesore e Gjermanisë”, vlerësoi Sekretari francez i Shtetit për Çështjet Evropiane, Clément Beaune, gjatë një takimi me të rinjtë, i organizuar nga Zyra franko-gjermane e Rinisë (OFAJ).

“Për klimën, për të drejtat sociale, madje edhe për idenë e reformimit të Evropës dhe mospërjashtimit të ndryshimeve të traktateve për të përmirësuar Evropën tonë në të ardhmen (…)”, vuri në dukje ai.

Socialdemokrati gjerman Olaf Scholz njoftoi të mërkurën një marrëveshje për të marrë kreun e qeverisë së parë pas Merkelit, me të Gjelbrit dhe Liberalët, një koalicion i paprecedent.

Autoritetet franceze kanë theksuar gatishmërinë e tyre për të filluar sa më shpejt punën me qeverinë e re gjermane, një partnere kyçe e Parisit brenda Bashkimit Evropian./atsh


MË SHUME NGA Bota