Stoltenberg: Kriza në kufirin bjellorus nuk ka përfunduar ende
Sharr Travel

Stoltenberg: Kriza në kufirin bjellorus nuk ka përfunduar ende

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka paralajmëruar se kriza e emigrantëve në kufirin lindor të Bashkimit Evropian nuk ka përfunduar ende, pasi njerëzit vazhdojnë të përpiqen të hyjnë ilegalisht në bllok nga Bjellorusia.

“Intensiteti ka ndryshuar mjaft, sigurisht që nuk është aq serioz sa ishte disa ditë më parë. Por, mendoj se është shumë herët për të thënë se ka mbaruar”, tha Stoltenberg në një intervistë të transmetuar në televizionin letonez.

Tensionet kanë qenë të larta për javë të tëra pasi emigrantët nga Iraku, Jemeni, Siria, Afganistani apo Irani kërkojnë të kalojnë kufijtë e jashtëm të BE-së, me Poloninë, Lituaninë dhe Letoninë si vendet më të prekura.

Shumë besojnë se kriza është krijuar qëllimisht nga lideri bjellorus, Alexander Lukashenko, si hakmarrje për sanksionet e BE-së.

Lukashenko e ka mohuar këtë, por ka thënë gjithashtu se nuk do të pengojë emigrantët që hyjnë në Bjellorusi të vazhdojnë në kufirin e vendit me BE-në.

“Duhet të jemi vigjilentë, duhet të vëzhgojmë zhvillimet dhe të vazhdojmë të dërgojmë mesazhe të qarta”, tha Stoltenberg.

”Regjimi i Lukashenkos po përdor njerëz të pafajshëm”, tha Stoltenberg duke e quajtur këtë ”një strategji cinike dhe çnjerëzore”.

Ai tha se NATO qëndroi në solidaritet të plotë me të gjithë aleatët e interesuar.

Lidhur me vendosjen e konsiderueshme të trupave në kufirin e Rusisë me Ukrainën, Stoltenberg gjithashtu i bëri thirrje Moskës për transparencë dhe përmbajtje.

Të dy çështjet do të trajtohen në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s në Riga, të martën dhe të mërkurën e ardhshme.

Stoltenberg po viziton Lituaninë dhe Letoninë së bashku me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen./atsh


MË SHUME NGA Bota