Fiala kryeministri i ri çek
   Bota

Fiala kryeministri i ri çek

Petr Fiala, një politikan liberal konservator, u emërua sot si kryeministri i ri i Republikës Çeke.

Fiala bëri betimin e detyrës në kështjellën Lany, pranë Pragës, në prani të presidentit Milos Zeman.

Qeveria në ikje e multimiliarderit Andrej Babis do të vazhdojë të qeverisë përkohësisht deri në emërimin e të gjithë kabinetit të ri.

Babis u vu nën presion pas akuzave për mashtrim që përfshinin subvencionet e BE-së dhe zbulime të tjera nga publikimi i të ashtuquajturave “Pandora Papers”.

Fiala kryeson një aleancë prej pesë grupimesh, përfshirë Partinë e tij Demokratike Qytetare (ODS), kristian-demokratët dhe Partinë Pirate, të cilët së bashku fituan 108 nga 200 vendet në Dhomën e Deputetëve në zgjedhjet në fillim të tetorit.

“Ne po përballemi me kohë të vështira”, tha Fiala kur nënshkroi marrëveshjen e koalicionit pothuajse tre javë më parë.

Vendi po vuan nga një valë e katërt e rëndë e infeksioneve Covid-19, me një normë incidence shtatëditore prej 1 191 rastesh për 100 000 persona.

Koalicioni i ri është shprehur kundër vaksinimit të detyrueshëm, por i ka bërë thirrje publikut të reduktojë vullnetarisht kontaktet.

Fiala ishte ministër i Arsimit nga maji 2012 deri në qershor 2013.

Profesor i Shkencave Politike dhe baba i tre fëmijëve, ai më parë ishte rektor i Universitetit ”Masaryk” në qytetin çek të Brnos.

Ai ka udhëhequr ODS për gati tetë vjet.