Morawiecki: Shpresoj që Gjermania të ndryshojë kursin për ”Nord Stream 2”
Sharr Travel

Morawiecki: Shpresoj që Gjermania të ndryshojë kursin për ”Nord Stream 2”

Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki shpreson që qeveria e ardhshme gjermane do të ndryshojë kursin për gazsjellësin e diskutueshëm ”Nord Stream 2”, ndërkohë që akuzon Moskën për përdorimin e projektit si një armë kundër Ukrainës.

“Unë do të prisja që qeveria e re gjermane të bënte gjithçka që është e mundur për të mos lejuar që ‘Nord Stream 2’ të jetë një instrument në arsenalin e presidentit Putin”, tha Morawiecki për DPA-në, në një intervistë të botuar sot.

”Projekti po bëhet një mjet për të shantazhuar Ukrainën dhe Moldavinë. Është gjithashtu një mjet për manipulimin e çmimeve të energjisë”, shtoi ai.

Gazsjellësi 1 230 kilometra përmes detit Baltik synon të dërgojë gaz natyror nga Rusia në Gjermani, duke anashkaluar Ukrainën.

Ndërtimi i tij ka përfunduar, por rubinetat mbeten të mbyllura në pritje të miratimit nga rregullatori.

Javën e kaluar, Agjencia Federale e Rrjetit të Gjermanisë pezulloi procedurën e certifikimit për projektin, duke përmendur kërkesat e BE-së që operatori duhet të jetë i pavarur nga prodhuesi i gazit.

Operatori ”Nord Stream 2 AG” është degë e gjigantit rus të energjisë ”Gazprom”.

Një koalicion i ri qeveritar midis social-demokratëve (SPD), të gjelbërve dhe Demokratëve të Lirë (FDP) do të marrë detyrën në fillim të dhjetorit.

Marrëveshja e tyre e koalicionit, e zbuluar të mërkurën, nuk përmend drejtpërdrejt ”Nord Stream 2”.

Megjithatë, ajo thotë se “ligji evropian i energjisë zbatohet gjithashtu për projektet e politikës energjetike në Gjermani”.

Formulimi ishte veçanërisht i rëndësishëm për të gjelbrit, sipas negociatorëve, pasi ata janë kundër projektit.

Por, FDP-ja është gjithashtu skeptike, ndërsa SPD-ja është më e hapur ndaj saj./atsh


MË SHUME NGA Bota