OBSH arrin konsensus në parim mbi marrëveshjen për pandemitë
BKT
   Bota

OBSH arrin konsensus në parim mbi marrëveshjen për pandemitë

Shtetet anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë arritën një konsensus në parim për negociatat për një marrëveshje të ardhshme për parandalimin e pandemisë, duke tejkaluar hendekun mes dy palëve të udhëhequra nga BE-ja dhe SHBA-ja, njoftuan sot diplomatët.

Siç thanë ata, projekt-rezoluta mund të miratohet të hënën, kur do t'u prezantohet ministrave të shëndetësisë në një asamble të posaçme treditore të OBSH-së.

Një marrëveshje globale për të forcuar parandalimin dhe reagimin ndaj pandemisë, e cila pritet të jetë gati në maj 2024, do të mbulojë çështje të tilla si shkëmbimi i të dhënave dhe sekuencat e gjenomit të virusit që shfaqen dhe të gjitha vaksinat dhe barnat e mundshme që rrjedhin nga kërkimi.

Progresi diplomatik është bërë në një kohë kur komuniteti ndërkombëtar është gjithnjë e më i shqetësuar për një lloj të ri të virusit koronar Omicron, i cili u zbulua në fillim të këtij muaji në Afrikën Jugore dhe që ndërkohë është përhapur në vende të tjera të botës, thekson Reuters.

Britania e Madhe së bashku me BE-në dhe rreth 70 vende, ka mbrojtur një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Shtetet e Bashkuara, me mbështetjen e vendeve duke përfshirë Brazilin dhe Indinë, hodhën poshtë marrëveshjen detyruese, thanë diplomatët javën e kaluar.