Lukashenko akuzon Lituaninë për trupa të pajetë në kufi me Bjellorusinë
BKT
   Bota

Lukashenko akuzon Lituaninë për trupa të pajetë në kufi me Bjellorusinë

Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, akuzoi të hënën autoritetet lituaneze për hedhjen e trupave të pajetë të emigrantëve në kufirin mes dy vendeve.

Lituania hodhi poshtë akuzën në mes të tensioneve kufitare në rritje midis Bjellorusisë dhe fqinjëve të saj të Bashkimit Europian.

Lukashenko u përpoq t’i lidhte tensionet e krijuara nga emigrantët e paligjshëm me një komplot perëndimor kundër Bjellorusisë dhe Rusisë.

Lukashenko tha në një takim me drejtuesit e tij të lartë ushtarak se rojet kufitare bjelloruse gjetën trupat e dy emigrantëve të hedhur në kufi gjatë fundjavës.

“Ata vendosin një trup të pajetë ose me siguri një person që është ende gjallë në një thes dhe e hedhin në kufi. Sa e neveritshme,” – u shpreh presidenti bjellorus.

Shërbimi Shtetëror i Rojës Kufitare të Lituanisë tha nga ana tjetër se autoritetet bjelloruse janë përpjekur vazhdimisht të inskenojnë dhe orientojnë rrahjet, gjymtimin apo edhe vdekjen e emigrantëve drejt Lituanisë, ndërsa akuzojnë gjithashtu për një “trajtim çnjerëzor”.

Ndërkohë, Bashkimi Europian thotë se kjo është hakmarrja e Lukashenkos për sanksionet e vendosura ndaj Bjellorusisë pas shtypjes brutale të saj ndaj protestuesve të demokracisë.

Autoritetet bjelloruse i kanë mohuar akuzat dhe i janë kundërpërgjigjur BE-së, duke e akuzuar atë se nuk ka ofruar kalim të sigurt për emigrantët.