Çekia bëhet me kryeministër të ri
Sharr Travel

Çekia bëhet me kryeministër të ri

Republika Çeke së fundmi është bërë me kryeministër të ri dhe kështu doli nga rrethi vicioz i sundimit të miliarderit kundërthënës, Andrej Babis. Petr Fiala, i cili dikur e quante veten James Bondi i Çekisë, tani ka mundësinë të tregojë një aftësi që edhe vetë aktori amerikan do t’ia kishte zili.

Fiala tashmë ka një punë të madhe para vetes – në zgjedhje, ai udhëhoqi një bllok prej pesë partish opozitare të qendrës dhe qendrës së djathtë, të cilat e rrëzuan Andrej Babishin.

Edhe pse emërimi i pasuesit të Babisit zgjati disa javë, Fiala është një burrë në një mision jetësor, transmeton Telegrafi.

Ai e mori detyrën në një mënyrë jashtëzakonisht të pazakontë, duke qenë se presidenti çek, Milos Zeman aktualisht ndodhet në izolim për shkak të një testi pozitiv për coronavirus, ndaj emëroi kryeministrin e ri nga një kuti xhami.

Skena la shumë njerëz pa fjalë, por mesazhi është i qartë – Babis duhej të largohej me çdo kusht.

“Ne i kemi dhënë Republikës Çeke një shans për një të ardhme më të mirë. Ky është ndryshim, ne jemi ndryshim, ju jeni ndryshim”, tha Fiala.

Ky i fundit është një person që ruan privatësinë e tij, ndaj publiku nuk di shumë detaje për kryeministrin e ri. Ky mund të mos jetë një handikap i madh, duke qenë se fakti më interesant për të është shumë i njohur.

Ai hyri në politikë si profesori i parë i shkencave politike në Çeki pas rënies së komunizmit dhe është një adhurues i madh i filmave të James Bond. Jo vetëm kaq, ai disi e sheh veten si heroi i filmave aksion.

“Unë jam, në fakt, James Bond. Ai mund të gjuajë mirë, dhe unë mundem. Ai gjithashtu flet shumë gjuhë dhe është i arsimuar mirë dhe shpresoj ta realizoj edhe këtë”, ka thënë Fijala.

Kreu i qeverisë çeke është një dashamirës i pasionuar i letërsisë, por edhe një futbollist amator që dikur shpresonte të bënte karrierë sportive.