Xiomara Castro, rrugës për t’u bërë presidentja e parë e Hondurasit
   Bota

Xiomara Castro, rrugës për t’u bërë presidentja e parë e Hondurasit

Hondurasi pritet që të zgjedhë gruan e parë në postin e presidentes, pasi partia në pushtet humbi zgjedhjet.

Xiomara Castro, kandidate e partisë majtiste, Të Lirë (LIBRE), bazuar në rezultatet preliminare udhëheq me pothuajse 20 për qind të votave më shumë kundrejt rivalit të saj.

Fitorja e saj paraqet fundin e sundimit 12-vjeçar të Partisë Nacionaliste të krahut të djathtë, e cila u përcoll me shumë skandale e afera korruptive.

Rrjedhimisht, Castro pritet të zëvendësojë presidentin e deritanishëm, Juan Orlando Hernandez. Tash e një kohë ndaj tij rëndojnë akuza për bashkëpunim me grupe të trafikimit me narkotikë pasi vëllai i tij u burgos për trafikim në Shtetet e Bashkuara.

Presidentja në ardhje, Castro ka premtuar që do ta ‘largojë Hondurasin nga diktatura e grupeve të trafikimit me narkotikë dhe korrupsionit’.

Castro ishte edhe zonjë e parë e shtetit kur në krye të vendit ndodhej bashkëshorti i saj, Manuel Zelaya. Ajo garoi në zgjedhje edhe dy herë të tjera pas largimit të Zelayas nga pushteti.

Ish-zonja e parë po ashtu premtoi ndryshime të mëdha në vend pas marrjes së pushtetit. Ndër detyrat e para do të jetë ballafaqimi me krimin, trafikimin e drogës dhe nivel të lartë të migrimit drejt SHBA-së.

Në anën tjetër, për fitoren e saj u deklarua edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken i cili e përgëzoi për fitore, duke shtuar se Uashingtoni mezi pret të bashkëpunojë me të./rel


APR
Romay Lift