Të paktën një i vdekur nga shpërthimi i vullkanit në Indonezi
Sharr Travel

Të paktën një i vdekur nga shpërthimi i vullkanit në Indonezi

Një person ka vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë lënduar pas shpërthimit të një vullkani në ishullin Java të Indonezisë, thanë zyrtarët.

Banorët e fshatrave pranë janë parë duke ikur nga një shtëllungë gjigante e hirit vullkanik, që arriti deri në 15,000 metra në qiellin mbi provincën e Javës Lindore.

Vullkani në Malin Semeru shpërtheu në orën 14:30 sipas kohës lokale.

Zyrtarët lokalë thanë se viktimat kanë pësuar djegie.

“Është një gjendje shumë urgjente që prej se shpërtheu vullkani”, tha zyrtari lokal, Thoriqul Haq.

Indah Masad, zyrtare në qarkun Lumajang, tha se numri i të lënduarve është të paktën 41 persona dhe tha se ata kanë pësuar djegie. Por, Agjencia për Katastrofa në Indonezi tha se 35 persona po trajtohen në spitalet lokale.

Rrugët dhe urat janë dëmtuar dhe tymi i madh që ka kapluar zonën po pengon punën e ekipeve të shpëtimit dhe evakuimit.

Zyrtarët ngritën çadra për evakuim jashtë perimetrit prej pesëkilometrash nga krateri i vullkanit.

Semeru është një prej mbi 120 vullkaneve aktive në Indonezi, që gjendet në Azinë Juglindore dhe ndërmjet Oqeanit Indian e atij Paqësor.

Semeru shpërtheu edhe në muajin janar, por nuk u raportua për viktima./rel