BE-ja reagon ndaj dënimit me burg për ish-lideren e Mianmarit Su Kyi
"Ky vendim është një hap i ri drejt shkeljes së të drejtave të njeriut dhe eliminimit të shtetit të së drejtës në Mianmar", tha kryediplomati evropian Josep Borrell.
Bashkimi Evropian dënoi ashpër vendimin e autoriteteve ushtarake të Mianmarit për të dënuar me burg udhëheqësen e rrëzuar Aung San Suu Kyi, së cilës iu shqiptua katër vjet heqje lirie në njërin prej rasteve në të cilat gjykohet.
Në deklaratën e bërë nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, kujtohet se Suu Kyi dhe ish-presidenti i Mianmarit, Win Myint, u dënuan për nxitje të popullit në rebelim dhe shkelje të rregullave të COVID-19 dhe u dënuan me katër vite burg.
Duke theksuar se vendimet janë politike, në deklaratë thuhet: "Ky vendim është një hap i ri drejt shkeljes së të drejtave të njeriut dhe eliminimit të shtetit të së drejtës në Mianmar. BE-ja e dënon ashpër këtë vendim të motivuar politikisht, i cili ka qenë një goditje ndaj demokracisë që nga grushti ushtarak në Mianmar më 1 shkurt 2021".
Duke theksuar se ushtria e Mianmarit duhet të sigurojë kthimin në demokraci menjëherë, deklarata kërkon lirimin e menjëhershëm të të burgosurve politikë të mbajtur që nga grushti i shtetit.
- Puçi ushtarak në Mianmar
Ushtria e Mianmarit mori pushtetin më 1 shkurt 2021, pas akuzave për mashtrim në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2020 dhe tensioneve politike në vend.
Ushtria arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të partisë në pushtet, veçanërisht udhëheqësen de fakto të vendit dhe ministren e Jashtme Aung San Suu Kyi, duke shpallur po ashtu gjendje të jashtëzakonshme për një vit.
Si rezultat i ndërhyrjes së armatosur të ushtrisë kundër protestuesve që refuzuan grushtin e shtetit dhe grupeve rebele, 902 persona kanë humbur jetën dhe mijëra demonstrues janë arrestuar.
Ndërkohë, sipas Organizatës për Ndihmë për të Burgosurit Politikë (AAPP), që nga grushti i shtetit në vend kanë humbur jetën 1.200 persona dhe janë ndaluar rreth 10 mijë të tjerë.
Paralelisht me demonstratat në shkallë të gjerë, në Mianmar vazhdon edhe gjyqi i zyrtarëve të lartë të qeverisë në gjykatat ushtarake.























