Negociatat rreth marrëveshjes bërthamore në Vjenë rifillojnë në fundjavë
Irani dhe fuqitë botërore do të rifillojnë bisedimet në përpjekje për të rikthyer marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.
Irani bëri të ditur se raundi tjetër i bisedimeve me fuqitë botërore për rikthimin e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 do të zhvillohet gjatë fundjavës.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Saeed Khatibzadeh, tha se Teherani është i angazhuar në bisedime sipas planeve që i ka dorëzuar palëve të tjera në negociata.
“Nuk ka marrëveshje të përkohshme apo me faza. Palët e tjera (në negociata) nuk kundërshtuan tekstin e paraqitur nga Irani", u tha Khatibzadeh gazetarëve. Ai theksoi se palët premtuan se do ta vlerësonin planin, por e bëri të qartë se “nuk mund të plotësojnë të gjitha kërkesat”.
Zëdhënësi iranian nënvizoi se negociatat nuk kanë përfunduar dhe nëse është e nevojshme, do të paraqiten planet e reja të propozimeve.
Ai fajësoi palët e tjera në negociata për mos demonstrimin e "fleksibilitetit të nevojshëm" në bisedime, duke këmbëngulur se Teherani nuk do të pranojë "asgjë më pak se marrëveshja bërthamore".
Pas një pauze pesëmujore, Irani dhe fuqitë botërore javën e kaluar rifilluan bisedimet e tyre në kryeqytetin austriak, Vjenë, në një përpjekje të fundit për të rikthyer marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, nga e cila u tërhoq administrata e ish-presidentit amerikan Donald Trump në maj 2018.
Bisedimet, megjithatë, përfunduan të enjten pa arritur ndonjë përparim.























