Ish-lideri i FARC-ut, Velasquez, vritet në një sulm me armë në Venezuelë
BKT
   Bota

Ish-lideri i FARC-ut, Velasquez, vritet në një sulm me armë në Venezuelë

Teksa ushtria kolumbiane nuk konfirmoi informacionin, mediat lokale pohuan se "mercenarët" mund të kenë vrarë ish-liderin e FARC-ut për shpërblim.

Ish-udhëheqësi i Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC), Hernan Dario Velasquez, i cili "dorëzoi armët" në Kolumbi me një marrëveshjen e paqes, është vrarë në Venezuelë.

Sipas një lajmi në BBC, Velasquez, i njohur me pseudonimin "El Paisa", u qëllua për vdekje në shtetin Apure.

Teksa ushtria kolumbiane nuk konfirmoi informacionin, mediat lokale pohuan se "mercenarët" mund të kenë vrarë ish-liderin e FARC-ut për shpërblim.

Thuhet se Velasquez, i cili bëri emër me aktet e tij të dhunës, është emri që qëndron pas sulmit me bombë në Bogota në vitin 2003, ku humbën jetën 36 persona dhe u plagosën afro 200 tjerë.

Emri i Velasquez doli në pah në vitin 2016, gjatë bisedimeve të paqes që ai mbajti në Havana dhe në vitin 2019 kur organizata bëri thirrje për armatim për t'i dhënë fund armëpushimit.

Një nga ish-komandantët e FARC, 53-vjeçari Jesus Santrich, emri i vërtetë i të cilit është Seuxis Paucias Hernandez Solarte, vdiq më 17 maj në një pritë të organizuar nga komandot e ushtrisë kolumbiane.

Në Kolumbi, vend me popullsi mbi 48 milionë, konflikti i brendshëm midis shtetit dhe FARC-ut i cili zgjati 52 vjet shkaktoi vdekjen e rreth 260.000 njerëzve dhe emigrimin e 6 milionë njerëzve.

- Veprimtaritë politike të FARC-ut

FARC, e cila hyri në parlament për herë të parë në vitin 2018, përfaqësohet nga pesë anëtarë në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve.

Ish-militani i FARC-ut, Guillermo Torres, fitoi me sukses zgjedhjet për kryebashkiak në zgjedhjet lokale të vendit më 27 tetor 2019.

Gjithashtu, ish-luftëtarja e FARC-ut, Sandra Ramirez u bë zëvendëskryetarja e dytë e Senatit Kolumbian.