Franca do të mbyllë klubet e natës për shkak të rritjes së infeksioneve
Kryeministri Jean Castex gjithashtu u bëri thirrje njerëzve që të "ngadalësohen" përpara sezonit të festave dhe të marrin masa paraprake ndërsa mblidhen jashtë ose vizitojnë tregjet e Krishtlindjeve dhe qendrat tregtare.
Franca ka urdhëruar që klubet e natës dhe diskotekat të mbyllen për një muaj duke filluar nga 10 dhjetori për të frenuar rritjen e infeksioneve me koronavirusin e ri (COVID-19), njoftoi kryeministri Jean Castex, raporton Anadolu Agency.
Vendimi do të prekë rreth 1.200 lokale të tilla të cilat ishin rihapur në korrik të këtij viti.
Pas një takimi të nivelit të lartë të Këshillit të Mbrojtjes Shëndetësore, Castex në një fjalim kombëtar deklaroi se ishte bërë "përjashtim" për klubet e natës dhe diskotekat pasi ato vizitohen kryesisht nga të rinjtë.
"Virusi qarkullon shumë mes të rinjve, madje edhe të vaksinuarve", tha ai.
Edhe pse qeveria ka paralajmëruar mbështetje ekonomike për të zbutur humbjet, pronarët e objekteve shprehën zemërimin e tyre që janë veçuar.
Castex gjithashtu u bëri thirrje njerëzve që të "ngadalësohen" përpara sezonit të festave dhe të marrin masa paraprake ndërsa mblidhen jashtë ose vizitojnë tregjet e Krishtlindjeve dhe qendrat tregtare në mënyrë që të shmangin një mbyllje tjetër. Një protokoll i ri për ngjarje të tilla do të shpallet në ditët në vijim.
Për të kufizuar qarkullimin e virusit tek fëmijët e vegjël në shkolla, do të jetë e detyrueshme që nxënësit të mbajnë maska në ambiente edhe gjatë pushimeve.
Ministri i Shëndetësisë Olivier Veran tha se vala e pestë duket se është më ngjitëse në natyrë, por më pak vdekjeprurëse, dhe se një nivel më i lartë vaksinimi mund të parandalojë rastet e rënda.
Aktualisht, në Francë janë rreth 25 raste të konfirmuara të variantit të ri Omicron.























