Arabia Saudite dhe EBA diskutojnë për "zhvillimet rajonale"
Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Bin Salman diskutoi mbi "zhvillimet rajonale dhe marrëdhëniet dypalëshe" me Princin e Kurorës së Abu Dhabit, Bin Zayed.
Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman në takimin e dytë të turneut të tij të Gjirit diskutoi mbi "zhvillimet rajonale dhe marrëdhëniet dypalëshe" me Princin e Kurorës së Abu Dhabit, Mohammed bin Zayed Al Nahyan në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA).
Pas Omanit, Bin Salman vizitoi EBA-në ku në Abu Dhabi u takua me Princin e Kurorës, Bin Zayed.
Sipas lajmit të agjencisë zyrtare të EBA-së, WAM, gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet e forta të miqësisë mes dy vendeve, mënyrat e bashkëpunimit dhe mundësitë premtuese për zhvillimin e tyre në fusha të ndryshme si dhe për çështjet rajonale dhe ndërkombëtare me rëndësi të përbashkët.
Gjatë takimit u diskutua për aspekte të ndryshme të bashkëpunimit strategjik ndërmjet Abu Dhabit dhe Rijadit ndërsa u trajtua rëndësia e aktivizimit të aksionit të përbashkët të Gjirit-Arab dhe një sërë çështjesh rajonale dhe ndërkombëtare që kanë të bëjnë me të dy vendet.
Bin Salman dhe Bin Zayed theksuan domosdoshmërinë e përpjekjeve për të konsoliduar shtyllat e stabilitetit rajonal që përbëjnë shtyllën bazë të përbashkët të zhvillimit, ndërtimit dhe progresit.
Medalja "Urdhri i Zayedit" për Bin Salmanin
Sipas agjencisë zyrtare saudite të lajmeve, SPA, gjatë takimit Bin Zayed i dorëzoi Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Bin Salman, “Urdhrin e Zayed”, i cili konsiderohet si urdhri më i lartë i EBA-së, që u jepet mbretërve, presidentëve dhe liderëve të vendeve.
Gjatë vizitës së tij në Muskat, Bin Salmanit iu dha edhe nderimi më i lartë civil i vendit.
Princi i Kurorës së Arabisë Saudite nisi një turne në vendet e Gjirit më 6 dhjetor para Samitit të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC), i cili është planifikuar të mbahet në vendin e tij më 14 dhjetor. Bin Salman, i cili filloi turneun e tij në Gjirin Persik nga Omani, pas EBA-së pritet të vizitojë Katarin, Bahreinin dhe Kuvajtin.























