Macron synon rimëkëmbjen ekonomike gjatë presidencës franceze të BE-së
Presidenti francez Emmanuel Macron dëshiron ta drejtojë Bashkimin Evropian drejt rrugës së rimëkëmbjes ekonomike gjatë marrjes së presidencës së rradhës të bllokut.
“Një model i ri i rritjes ekonomike evropiane duhet të nxisë inovacionin dhe krijimin e vendeve të punës pas krizës së koronavirusit, duke garantuar konkurrencën dhe respektimin e qëllimeve klimatike”, deklaroi sot Macron.
Lideri francez Macron bëri thirrje që kriteret e Mastrihtit, të cilat kufizojnë borxhin kombëtar në BE, të rishqyrtohen rast pas rasti, në mënyrë që të vazhdohet me investimet në fusha të tilla si klima, infrastruktura digjitale dhe mbrojtja.
Në janar, Franca do të marrë presidencën e ardhshme gjashtëmujore të Këshillit të BE-së, i cili përfaqëson 27 shtetet anëtare.
Përveç pandemisë dhe ndryshimeve klimatike, Macron përmendi përpjekjet për të destabilizuar demokracinë, rritjen e pabarazisë globale dhe kërcënimet brenda mjedisit të afërt të BE-së si sfidat aktuale me të cilat përballet blloku.
Ai gjithashtu tha se, Afrika duhet të merret gjithnjë e më shumë në konsideratë nëse BE-ja dëshiron të promovojë stabilitetin dhe mirëqenien./atsh























