Dështon armëpushimi i ri, Ukraina e Rusia fajësojnë njëra-tjetrën
Ukraina dhe Rusia e kanë fajësuar njëra-tjetrën pas dështimit të përpjekjeve për të arritur marrëveshje për një armëpushim të ri në lindje të Ukrainës të enjten në mbrëmje.
Ukraina tha se Rusia ka refuzuar një varg të propozimeve të saj, përfshirë shkëmbimin e të burgosurve, rihapjen e një pike kontrolli dhe zgjerimin e një qendre të përbashkët të komunikimit. Trupat ukrainase janë duke luftuar me forcat e përkrahura nga Rusia që nga viti 2014.
Në anën tjetër, Rusia tha se Ukraina ka paraqitur propozime “absolutisht absurde” dhe e akuzoi atë për imitim të negociatave. Moska e refuzoi propozimin për t’i shtuar Gjermaninë e Francën në Qendrën e Përbashkët për Kontrollim dhe Koordinim, grup i ngarkuar për zbatimit e marrëveshjeve të armëpushimit.
“Në kushte të tilla, Donetsku, Lugansku (autoritetet separatiste) dhe OSBE-ja vlerësuan se është e pamundshme që të vazhdohen bisedimet”, tha Boris Gryzlov, i dërguar i Rusisë në grupin e kontaktit. OSBE-ja nuk doli me ndonjë deklaratë të menjëhershme.























