Scholz zgjedh Francën në vizitën e tij të parë jashtë vendit si kancelar
BKT
   Bota

Scholz zgjedh Francën në vizitën e tij të parë jashtë vendit si kancelar

Kancelari i ri gjerman, Olaf Scholz bëri udhëtimin e tij të parë jashtë shtetit që nga marrja e detyrës duke u takuar me presidentin francez, Emmanuel Macron në Paris.

“Ne po takohemi për të zhvilluar një strategji të përbashkët me Francën”, theksoi Scholz përpara takimit të tij me Macron.

Parisi ka qenë prej kohësh ”porti” i parë për një kancelar gjerman që merr detyrën.

Macron i uroi detyrën kacelarit të ri duke theksuar se ”së bashku do të shkruajmë kapitullin tjetër… për francezët, për gjermanët dhe për evropianët”.

Ndër shenjat e bashkëpunimit franko-gjerman, ka edhe pika të qarta dallimi si në energjinë bërthamore si dhe hapat mbi gazsjellësin e diskutueshëm ”Nord Stream 2”.

Gjermania kundërshton gjithashtu lëvizjet franceze për të shpallur energjinë bërthamore “energji të gjelbër” për qëllime investimi.

Scholz do të udhëtojë drejt Brukselit për bisedime edhe me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Kriza në kufirin mes Rusisë dhe Ukrainës, ku janë grumbulluar trupat ruse, ka të ngjarë të jetë në rendin e ditës./atsh