Scholz dhe Macron rikonfirmojnë partneritetin mes dy vendeve
Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron rikonfirmuan partneritetin e dy vendeve të tyre gjatë takimit të tyre në kuadër të vizitës së parë të Scholz që nga marrja e detyrës.
“Ka të bëjë me atë sesi ne mund ta bëjmë Evropën të fortë, sovranitetin evropian në të gjitha dimensionet e saj. Ka të bëjë me çështjet ekonomike, çështjet e sigurisë dhe çështjet e politikës së jashtme”, tha Scholz gjatë takimit me Macron në pallatin presidencial Elysée në Paris.
“Është e rëndësishme që ne të veprojmë në të njëjtin drejtim, që të punojmë së bashku. Dhe kjo është arsyeja pse kjo nuk ishte vetëm një vizitë miqësore, por edhe një vizitë ku u adresuan në mënyrë shumë konkrete të gjitha çështjet që do të jenë në rrezik në një të ardhme të afërt.
“Ne kemi shfaqur vullnetin për të punuar së bashku. Bashkëpunimi i ngushtë duhet të vazhdojë siç ka ndodhur me paraardhësen e Scholz, Angela Merkel”, tha Macron.
Të dy liderët diskutuan bashkëpunimin evropian, ndryshimet klimatike, dixhitalizimin dhe migrimin.
Lidhur me çështjen e migracionit, Macron tha se ishte një çështje që synonte një mbrojtje më të mirë të kufijve të jashtëm të BE-së, rritjen e efikasitetit në luftën kundër migracionit të paligjshëm dhe rrjeteve të kontrabandës dhe përmirësimit të bashkëpunimit me vendet e origjinës.
Macron përsëriti thirrjen për një lehtësim të kritereve të Mastrihtit që kufizojnë borxhin dhe shpenzimet e qeverisë në mënyrë që të rriten investimet e ardhshme në BE për të siguruar rritjen ekonomike dhe të vendeve të punës./atsh























