Kriza klimatike, një nga prioritetet e kryesimit të G7 të Gjermanisë
Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock synon ta kthejë luftën kundër krizës klimatike në një nga prioritetet e kryesisë gjermane të G7, grupit të demokracive më të pasura liberale.
“Ne mund të kënaqemi me iluzionin se Perëndimi është një ishull, por edhe në këtë ishull uji do të vazhdojë të rritet në mënyrë të pandalshme nëse nuk veprojmë tani”, tha politikania e të Gjelbërve sot përpara udhëtimit të saj në takimin e ministrave të jashtëm të G7, në Liverpool këtë fundjavë.
“Kjo është arsyeja pse ne do ta bëjmë trajtimin e përbashkët të krizës klimatike një nga pikat kryesore të kryesimit tonë të G7 vitin e ardhshëm”, tha ajo.
Pas shtatë vitesh, Gjermania do të marrë sërish kryesimin e G7 në vitin 2022. Grupi përfshin gjithashtu Francën, Britaninë e Madhe, Italinë, Japoninë, Kanadanë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Baerbock tha se, në Liverpool, liderët e G7-ës do të diskutojnë gjithashtu për krizën klimatike dhe ndikimin e saj në paqe dhe siguri, jo vetëm në vendet në zhvillim, por edhe në Evropë./atsh























