Gjermani, çmimet e prodhimit në nëntor u rritën më së shumti që nga 1962
Çmimet e prodhimit në Gjermani u rritën më së shumti që nga viti 1962 në nëntor, me rritjen më të madhe të çmimeve të naftës, tregoi një raport i Destatis të hënën.
Krahasuar me nëntorin e vitit të kaluar, ato janë rritur me 16.6 për qind, pasi në tetor janë rritur me 15.2 për qind, njofton Enti i Statistikave.
Të nxitur nga rritja e mprehtë e çmimeve të lëndëve të para dhe mallrave të ndërmjetme, çmimet e prodhimit në ekonominë më të madhe të Evropës janë rritur ndjeshëm në bazë vjetore që nga viti 1962, kur zyra e statistikave filloi të bëjë këto llogaritje, thuhet në raport.
Në bazë mujore, rritja e çmimeve të prodhimit u ngadalësua lehtë, në 1.3 për qind, nga 1.6 për qind në tetor.
Në nivel vjetor u rritën më së shumti çmimet e prodhimit të derivateve të naftës, me 62.4 për qind, tregoi raporti.
Një raport i veçantë i Destatis për muajin tetor tregoi pothuajse të njëjtën përqindje të rritjes së çmimeve të bujqësisë me bazë vjetore, me 16.3 për qind. Në bazë mujore, çmimet u rritën me 2.8 për qind.
Rritja e lartë e çmimeve të produkteve bujqësore është kryesisht për shkak të rritjes së theksuar të çmimeve të produkteve bimore,me 24.4 për qind në krahasim me tetorin e vitit të kaluar.
Arsyeja kryesore e këtij kërcimi është rritja e çmimit të drithërave, çmimi i të cilave është në rritje prej disa kohësh, kryesisht për shkak të kërkesës së madhe si nga prodhuesit gjermanë ashtu edhe nga ata të huaj të miellit. Në tetor, ato ishin 36.9 për qind më të shtrenjta se një vit më parë.
Çmimet e patates gjithashtu u rritën, me 43.5 për qind, për shkak të rendimenteve të dobëta. Edhe produktet shtazore u rritën me 10.8 për qind në çmim, ndonëse në moderim, krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë, sipas të dhënave më të fundit të zyrës së statistikave.























