Italia drejt një gjendjeje të re të jashtëzakonshme për shkak të Covidit
Qeveria italiane e drejtuar nga kryeministri Mario Draghi pritet të aprovojë sot një vendim të rëndësishëm mbi kohëzgjatjen e gjendjes së emergjencës pandemike kombëtare.
Më 31 dhjetor 2021 është afati i përfundimit të saj, e vala e katërt e infektimit nga Covid-19, e ka bërë të detyrueshme marrjen e një vendimi të ri.
Në pamundësi për të tejzgjatur gjendjen e jashtëzakonshme aktuale, zërat mediatike nga burime të selisë së kryeministrisë italiane zbardhin tre rrugë të mundshme, miratimin e një drafti të ri ligjor që do të shpall një gjendje të re të jashtëzakonshme shëndetësore me afat të ri kohor; një amendament me masa të reja që është në diskutim në parlament; ose futjen e një normative të re në draft ligjin që pritet të aprovohet nga qeveria në këtë fund vit për të përballuar situatat emergjente kombëtare mes të cilave dhe këto probleme juridike, raporton “Oranews”.
Debati politik mbi vendimin e ardhshëm të qeverisë ka vënë përballë të djathtën e të majtën italiane.
Liderja e partisë së djathtë Fratelli d’Italia, Giorgia Meloni është shprehur pas dy vitesh gjendje emergjence e jashtëzakonshme nuk ka kuptim të jetë më diçka e tillë.























