Ish-kontraktori i mbrojtjes amerikane u përpoq t’i kalonte sekrete Rusisë
Një ish-kontraktor i mbrojtjes amerikane u akuzua për tentativë spiunazhi pasi kërkoi t’i siguronte qeverisë ruse teknologji sekrete të avionëve luftarakë.
John Murray Rowe Jr., 63 vjeç, nga Dakota e Jugut pritet të dalë para gjykatës të premten e 18 dhjetorit.
Kjo, pas një hetimi tetë-mujor në të cilin Rowe shprehu vazhdimisht interes për të ndarë informacione të klasifikuara.
Prokurorët federalë nënvizojnë se ish-kontraktori paraqitej si një operativ i qeverisë ruse.
Sipas dokumenteve të gjykatës, Rowe punoi për më shumë se katër dekada si inxhinier testimi për disa kontraktorë të mbrojtjes.
Ai mbajti leje të ndryshme sigurie në lidhje me detyrat që përfshinin teknologjinë e hapësirës ajrore.
Ish-kontraktori u pushua nga puna në vitin 2018 si “kërcënim i brendshëm” i mundshëm, thanë prokurorët.
Byroja Federale e Investigimit (FBI) nisi një hetim në mars të vitit 2020.
Ata fiksuan një takim mes Rowe-it dhe një agjenti të fshehtë.
Takimi u pasua nga një shkëmbim i më shumë se 300 e-maileve me një agjent të dytë.
Në një nga e-mailet, sipas prokurorëve, Rowe dyshohet se shprehu dëshirën “për të punuar me ekipin tjetër”.
Ish-kontraktori dyshohet se ripohoi interesin e tij për të punuar për Rusinë në një seri e-mailesh.
Një muaj më vonë, u zhvillua një takim i dytë personal me sekretarin e parë të FBI-së në një hotel të Dakotës së Jugut.
Gjatë asaj kohe ish-kontraktori “bëri zbulime të shumta” të informacionit sekret në lidhje me sistemet e mbrojtjes së Forcave Ajrore.
Rowe është akuzuar zyrtarisht mbi tentativën për të komunikuar informacionin e mbrojtjes kombëtare kundrejt një qeverie të huaj.
Nëse shpallet fajtor, ai do të përballet me një dënim maksimal – burgim të përjetshëm.























