SHBA, arrestohet një inxhinier pasi tentoi të shiste të dhëna konfidenciale
BKT
   Bota

SHBA, arrestohet një inxhinier pasi tentoi të shiste të dhëna konfidenciale

John Murray Rowe, 63-vjeç nga Dakota e Jugut ndau detaje të avionëve luftarakë të SHBA-së me një agjent të FBI-së që pretendoi se ishte një spiun rus.

Një inxhinier në kompaninë e industrisë së mbrojtjes në SHBA u arrestua pasi u përpoq t'i jepte informacion konfidencial një punonjësi të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), për të cilin mendonte se ishte spiun rus.

John Murray Rowe, i cili punoi për 10 vjet si inxhinier në kompaninë e mbrojtjes u arrestua pasi u përpoq t'i shiste informacione konfidenciale një agjenti të fshehtë të FBI-së që ai mendonte se ishte spiun rus, thuhet në deklaratën e Departamentit Amerikan të Drejtësisë.

FBI tha se pas shkarkimit të 63-vjeçarit John Murray Rowe nga Dakota e Jugut, për shkelje të sigurisë, është kryer një operacion sekret për mundësinë e një kërcënimi të brendshëm në kompani.

Në një hotel në Dakotën e Jugut, Rowe u takua me agjentin e fshehtë të FBI-së, i cili pretendonte të ishte spiun rus dhe i tha atij se ishte i gatshëm të transferohej në Rusi dhe t'ia shiste informacionin qeverisë ruse.

U zbulua se si pjesë e hetimit, Rowe shkëmbeu më shumë se 300 e-maile me një punonjës tjetër të FBI-së, i cili gjithashtu u prezantua si spiun rus për një periudhë prej 8 muajsh, duke filluar nga marsi 2020.

Sipas të dhënave të gjykatës, Rowe ndau detaje rreth avionëve luftarakë të SHBA-së në një e-mail ndërsa në një mesazh tjetër ai shkroi: "Nëse nuk mund të gjej një punë këtu, atëherë do të punoj për një ekip tjetër".

Rowe u soll përpara Gjykatës Federale në Dakotën e Jugut, ku ai u mbajt në paraburgim për përpjekjen për të nxjerrë informacione rreth mbrojtjes kombëtare në mënyrë që të ndihmonte një qeveri të huaj.

Më tej thuhet se Rowe mund të përballet me dënim me burgim të përjetshëm. Prokurorët thonë se Rowe ka punuar si inxhinier testimi për kompanitë e mbrojtjes për 40 vjet dhe ka leje sigurie.

Më herët, në mars 2018, ai u pushua nga kompania e aviacionit për shkelje të rregullave të sigurisë.