Evropa përshpejton vaksinimin e fëmijëve 5-11 vjeç kundër COVID-19
Agjencia Evropiane e Barnave më 25 nëntor miratoi vaksinën Pfizer-BioNTech për grupmoshat 5-11 vjeç me shkallë të lartë infeksioni dhe se vaksina do të jepet me një dozë më të ulët se për personat mbi 12-vjeç.
Përderisa vendet evropiane vendosën nën kontroll pandeminë e COVID-19, përshpejtuan vaksinimin e fëmijëve të moshës 5-11 vjeç kundër COVID-19 për të mbajtur shkollat hapur.
Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), rregullatori i BE-së i barnave, më 25 nëntor miratoi vaksinën Pfizer-BioNTech për grupmoshat 5-11 vjeç me shkallë të lartë infeksioni dhe se vaksina do të jepet me një dozë më të ulët se për personat mbi 12-vjeç.
Pas kësaj, shumë vende morën masa për grupmoshën në fjalë, ku ka rreth 27 milionë fëmijë në BE. Sipas kësaj u synua që të imunizohen fëmijët, të cilët zënë një vend të rëndësishëm në numrin në rritje të rasteve, të kontrollohet rritja e përgjithshme dhe të mos ndërpritet arsimi.
Në Austri, disa provinca, veçanërisht kryeqyteti Vjena, filluan të vaksinojnë fëmijët e grupmoshës 5-11 vjeç përpara rekomandimit të EMA-së.
Një projekt pilot filloi në Vjenë më 15 nëntor, me vaksinimin e parë të 200 fëmijëve. Që nga 25 nëntori fushata e vaksinimit të fëmijëve u përhap në të gjithë vendin.
Për shkak të shqetësimeve për variantin Omicron, i cili u përhap me shpejtësi në vendet si Hungaria, Greqia, Spanja, Gjermania dhe Austria, në shtypin vendas u pasqyrua se kishte një kërkesë të fortë nga prindërit.
- Hungari
Vaksinimi i fëmijëve 5-11 vjeç në Hungari filloi më 14 dhjetor. Vaksinimi i fëmijëve vazhdon në 77 spitale në të gjithë vendin dhe bëhet e ditur se janë vaksinuar 38 mijë fëmijë.
- Greqi
Në Greqi, aplikimi i vaksinës kundër COVID-19 për fëmijët e moshës 5-11 vjeç filloi më 15 dhjetor. Për këtë grupmoshë deri më tani janë bërë mbi 30 mijë kërkesa për vaksinim.
Greqia siguroi 60 mijë doza të vaksinës për fëmijët nga Pfizer-BioNTech. Me blerjen e vaksinës së re në janar 2022, më shumë fëmijë do të mund të vaksinohen.
Vaksinat do të administrohen në spitalet e fëmijëve dhe qendra të caktuara vaksinimi që do t'u shërbejnë fëmijëve.
- Spanjë
Në Spanjë, më 15 dhjetor ka nisur vaksinimi i fëmijëve të moshës 5-11 vjeç kundër COVID-19.
Në këtë grupmoshë në vend numërohen 3.3 milionë fëmijë, që përkon me 7 për qind të popullsisë së përgjithshme. Disa administrata autonome kanë vendosur të vaksinojnë në spitale dhe disa në shkolla.
Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se në radhë të parë janë marrë 1.3 milionë doza të vaksinës Pfizer-BioNTech kundër COVID-19 për fëmijë dhe muajin e ardhshëm do të dorëzohen 3 milionë doza të tjera.
Ministria njoftoi se është planifikuar që në fund të janarit të jepet doza e parë e vaksinës për të gjithë fëmijët e moshës 5-11 vjeç dhe se intervali i vaksinimit të dozës së dytë në këtë grup moshe është 8 javë.
- Francë
Franca që nga 15 dhjetori ka nisur të vaksinojë fëmijët e moshës 5-11 vjeç, të cilët konsiderohen “të rrezikuar” për shëndetin. Kjo korrespondon me rreth 360 mijë fëmijë.
Vaksinimi i të gjithë fëmijëve të grupmoshës 5-11 vjeç është planifikuar të realizohet në vend pas datës 20 dhjetor.
- Gjermani
Në Gjermani, Komisioni i Përhershëm i Vaksinimit (STIKO) më 9 dhjetor rekomandoi vaksinën e Pfizer-BioNTech për këtë grupmoshë.
Pasi mori në konsideratë të gjitha të dhënat e disponueshme deri më tani, STIKO vendosi të rekomandojë vaksinën COVID-19 për fëmijët e moshës 5-11 vjeç me sëmundje të ndryshme.
Gjithashtu u rekomandua që të vaksinohen fëmijët që kanë qenë në kontakt me njerëz që nuk kanë qenë të vaksinuar.
Thuhet se vaksina kundër COVID-19 mund t'u jepet fëmijëve të moshës 5-11 vjeç që nuk kanë asnjë sëmundje, me këshillën e mjekut dhe me kërkesën e prindit. Ndërsa nëse më shumë të dhëna dhe gjetje të tjera mbi sigurinë e vaksinës për atë grupmoshë bëhen të disponueshme, STIKO do të jetë në gjendje ta rishikojë atë menjëherë dhe të përditësojë rekomandimin e tij sipas nevojës.
- Zvicër
Swissmedic, e cila rregullon legjislacionin në fushën e trajtimit dhe shëndetit në Zvicër, miratoi më 10 dhjetor vaksinën Pfizer-BioNTech për fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç.
Megjithatë, vaksinimi pritet të fillojë në javët e para të janarit 2022.
- Belgjikë
Belgjika, e cila mori 336 mijë doza të vaksinës Pfizer-BioNTech këtë javë, pritet të marrë 636 mijë doza shtesë në janar 2022.
Qeveria është në pritje të rekomandimeve të Këshillit Shëndetësor përpara se të nisë zyrtarisht fushata e vaksinimit të moshave 5-11 vjeç. Mbrëmë qeveria ka mbajtur një mbledhje për këtë çështje, por këshilli ndërministror pritet të shpallë vendimin përfundimtar më 20 dhjetor.
Poashtu edhe Britania e Madhe do ta shqyrtojë çështjen dhe do të marrë një vendim përpara Krishtlindjeve.
Më 3 nëntor, SHBA-ja filloi vaksinimin e fëmijëve të moshës së përmendur ndërsa deri më tani janë vaksinuar më shumë se 5 milionë fëmijë.























