Bisedimet bërthamore me Iranin në Vjenë do të ndërpriten për disa ditë
"Këtë javë kemi shënuar përparime të mira. Sot do të ketë një mbledhje të përbashkët të komisionit dhe negociatat do t`i vazhdojmë pas disa ditësh", tha kryenegociatori iranian, Bagheri.
Kryenegociatori dhe zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Ali Bagheri tha se në bisedimet bërthamore të mbajtura në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë, është shënuar përparim dhe se bisedimet do të ndërpriten për disa ditë.
Në një deklaratë nga llogaria e tij në Twitter, Bagheri theksoi se është takuar me zv.sekretarin e përgjithshëm dhe drejtorin politik të Shërbimit të Marrëdhënieve me Jashtë të BE-së, Enrique Mora për të vlerësuar situatën aktuale pas konsultimeve të kryera dje mes palëve si dhe hapat që do të ndërmerren në të ardhmen.
"Këtë javë kemi shënuar përparime të mira. Sot do të ketë një mbledhje të përbashkët të komisionit dhe negociatat do t'i vazhdojmë pas disa ditësh", tha Bagheri.
Bisedimet, në të cilat u diskutua për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bërthamore të Iranit dhe kthimin e SHBA-së në marrëveshje, pas ndërprerjes prej rreth 5 muajsh rifilluan më 29 nëntor nën kryesimin e zyrtarit të BE-së, Mora me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të nivelit të lartë nga Rusia, Kina, Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Irani.
Për shkak të mosarritjes së marrëveshjes mes palëve, bisedimet u ndërprenë për një javë dhe filluan sërish më 9 dhjetor. Diplomatët iranianë dhe evropianë njoftuan se bisedimet kanë qenë më pozitive në krahasim me javën e kaluar.























