“Omicron” frikëson Evropë e Amerikë, Fauci pret dimër të rëndë
Autoritetet gjithandej Evropës po i frikësohen faktit se “Omicron” mund të përhapet me shpejtësi në ditët e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, për shkak të grumbullimit të qytetarëve.
Prandaj, të gjitha spitalet po përgatiten me aparatura e staf për t’u përballur me fluksin e të infektuarve.
Në Gjermani është aktivizuar edhe ushtria. Pjesëtarët e saj po ndihmojnë edhe në sigurimin e pajisjeve dhe shtretërve rezervë.
Sidoqoftë, vendi më i madh i BE-së përjashtoi mundësinë e izolimit para Krishtlindjeve, ndonëse ua ka ndaluar të pavaksinuarve qasjen në vende të caktuara publike.
Këta, sipas ekspertëve mjekësorë, janë më rrezikuarit nga “Omicroni” infektues. Një grup këshillimor qeveritar tha të dielën se nevojiten urgjentisht masa të reja.
Omicron ka ndryshuar pandeminë, sepse për një kohë të shkurtër po infekton më shumë njerëz. Varianti i ri i COVID-19 nuk po i kursen as të shëruarit dhe të vaksinuarit.
Ky lloj i ri ka shqetësuar edhe kryeekspertin amerikan të sëmundjeve infektive, Anthony Fauci, që paralajmëroi një dimër të vështirë, si pasojë e përhapjes së shpejtë të “Omicron”.























